Shqiptarët në Luginën e Preshevës do t’i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale. Të njëjtit, do të fokusohen vetëm në zgjedhjet parlamentare, ku do të kenë mundësi t’i votojnë kandidatët e tyre.
Kështu ka thënë në Sytë 7 kandidati për deputet nga Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” Salih Salihi.
I njëjti tha se nuk janë deklaruar publikisht e as nuk kanë bërë thirrje për këtë bojkot, porse një veprim i tillë nënkuptohet, meqenëse nga 7 kandidatët për president të Serbisë, asnjëri nuk është shqiptar, e nuk kanë ndonjë politik të veçuar karshi shqiptarëve.
Salihi, në Klan Kosova, tha se si shkak i masivizimit të adresave, ka telashe edhe tek votuesit shqiptarë, pasi sipas tij nuk po i gjejnë të dhënat e tyre tek regjistri i votimeve.
I njëjti, bëri me dije, se si deputet të ardhshëm, do të tentojnë sa më shumë të ngritin zërin karshi të drejtave të shqiptarëve, pasi sipas tij, janë të diskriminuar totalisht nga shteti serb. Madje, sipas tij, institucionet e nivelit qendror, kanë harruar kur kanë bërë ndonjë investim kapital në zonën e Luginës, madje as në kohë fushate nuk kanë ardhur asnjë subjekt politik serb.
Salihi bëri thirrje, që edhe luginasit me vendbanim në Kosovë, të kthehen në vendlindje të dielën e 3 prillit, që të votojnë masivisht.
Sot, është dita e fundit e fushatës elektorale, ndërsa 48 orë janë heshtje zgjedhore. Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, votohet në lista të mbyllura, kurse koalicioni i shqiptarëve i ka 10 kandidatë.