Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rrukollit, Fatmir Mjakut, Rexhep Xhotës, Skender Tahirit, Sheremet Jasharit dhe Bajram Dibranit, lidhur me akuzën për veprat penale “Pjesëmarrja në një grup të organizuar kriminal”, “Pengim i dëshmisë apo procedurës zyrtare” si dhe “Frikësim gjatë procedurës penale”.
Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska dhe anëtarët Kushtrim Shyti dhe Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas gjyqtarit Përlaska, të akuzuarit lirohen nga të gjitha pikat e aktakuzës pasi nuk është vërtetuar se kanë kryer veprat penale që iu viheshin në barrë.
Shpenzimet e procedurës penale bien në barrën e mjeteve buxhetore të Gjykatës.
Ndryshe, në këtë rast gjykimi ka vazhduar për pikën 16, 17 dhe 18 të aktakuzës ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, për të cilët ishte veçuar procedura.
Në këtë rast, në pikat tjera të aktakuzës ngarkoheshin: Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani-Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato. Aktvendimin e Themelores, e kishte lënë në fuqi Gjykata e Apelit në korrik 2018.
Po ashtu, Themelorja kishte aprovuar marrëveshjen e të akuzuarës Mirvete Hasani-Lushtaku me Prokurorinë për pranimin e fajësisë ku e njëjta ishte dënuar me 3 mijë e 500 euro gjobë për veprën penale “Lehtësim të arratisjes së personit të privuar nga liria”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.
Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur më 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015. Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.
Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.
Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri ishte anuluar nga Gjykata e Apelit. Më pas, Emrush Thaqi dhe Nexhib Shatri ishin liruar në rigjykim nga akuza me aktgjykim të shpallur nga gjykatësi Agim Kuçi. Ndryshe, prokurori i EULEX-it, Romulo Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkonte me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marrë shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore./KlanKosova/

