Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr.Nagip Rexhepi” në Gjilan, sikurse edhe gjitha qendrat dhe ambulantat e tjera në vend, furnizohen me barëra esenciale nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas drejtorit të QKMF-së në Gjilan, Fejzulla Berisha, qendra kryesore në këtë komunë furnizohet me rreth 70% të barërave esenciale, të nevojshme. Më pas ato shpërndahen edhe në qendrat tjera.
‘Barërat dhe mjetet e punës dorëzohen në baza mujore, marrim kontigjentin dhe varësisht nevojave dhe numrit të pacientëve, bëhet distribuimi i tyre”, ka thënë Berisha.
Por, kontigjenti me barëra jo rrallë herë vije edhe me vonesë.
Një gjë të tillë nuk e mohoi as i pari i kësaj qendre,Fejzulla Berisha, për të shtuar se edhe sasia e dorëzuar nganjëherë nuk i përmbushë kërkesat. Sipas tij, çdo shtim i sasisë në furnizimin e barërave do të ishte i mirëseardhur.
“Janë procedurat nëpër të cilat kalon çdo furnizim dhe këto janë punë që kryhen nga Ministria. Por, një shtim i sasisë është i nevojshëm për të gjitha qendrat, bile në gjithë Kosovën”, ka shtuar më tej, Berisha.
Për t’i mbuluar mungesat, Qendrat e Mjekësisë Familjare në Gjilan,tash e tri vite, furnizohet, në raste nevoje, edhe me anë të një tenderi komunal.
Përndryshe, në Komunën e Gjilanit funksionojnë 22 qendra të mjekësisë familjare, 6 në qytet, 5 nëpër lagje dhe 16 punkte. Në këto qendra ofrohen shërbime mjekësore të nivelit primar nga mjekësia familjare, kontrolle rutinore, shërbime emergjente, ato të specializuara si stomatologjike, pediatrike dhe të tjera.