Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës ka marrë vendim për miratimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID–19.
Mes 52 masave është edhe masa 7 e Qeverisë, e cila obligon institucionet publike, pra edhe ato të arsimit “që të gjitha punëtoret shtatzëna duhet të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur në punë duke iu krijuar mundësinë që të punojnë nga shtëpia”.
SBASHK-u kërkon nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të këtyre masave të Qeverisë që të angazhohen dhe inspektojnë lidhur me zbatimin e kësaj mase në institucionet arsimore dhe të obligojnë institucionet që punëtoret shtatzëna të lirohen menjëherë nga procesi mësimor, që është duke u zhvilluar me prezencë fizike në institucionet arsimore, aq më tepër kur sistemi arsimor është vlerësuar si nga më të rrezikuarit nga prekja me Covid dhe të marrin masa adekuate e konformë Ligjit për ata që nuk i zbatojnë këto masa për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
“SBASHK lidhur me këtë kërkesë ka komunikuar edhe me ministren Nagavci dhe apelon të shkollat dhe Drejtoritë Arsimore që të bashkëpunojnë ngushtë dhe ta ndihmojnë Ministren Nagavci për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme në mënyrë që të nis së implementuari masa 7 në mënyrë që punëtorët shtatzëna në tërë sistemin arsimor, që nga çerdhet e deri në Universitet të lirohen nga obligimi i paraqitjes në vendet e punës e duke gjetur zëvendësim adekuat për to që nga dita e nesërme”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.