Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka bërë të ditur se në mbrëmje do të mbajnë takim, kur edhe do të njoftohen me organizmin e procesit mësimor, në ditën e parë të zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i ka thënë për Tëvë1 se pasdite do t’i grumbullojnë raportet nga komunat dhe të shohin se sa është numri i shkollave apo mësimdhënësve që iu kanë përgjigjur kërkesës së MASHTI-t për të filluar me kompensimin orëve të humbura gjatë grevës së përgjithshme, muajin e kaluar.
“Në orët e pasdites SBASHK do të mbaj takimin e radhës on-line dhe do të kemi raporte nga komunat që do t’ua dërgojmë medieve përmes komunikatës për medie”, është përgjigjur shkurt Jasharaj.
Zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës së përgjithshme në Kosovë ku ishte i përfshirë edhe sektori i arsimit parauniversitar e ka kërkuar Ministria e Arsimit.
Një gjë të tillë e ka kundërshtuar SBASHK-u, me arsyetimin se orët e humbura sipas Kontratës Kolektive të Arsimit, nuk zëvendësohen.