Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar protestë në shtator, pasi, siç thonë, këtë po e kërkon kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një komunikate për media, SBASHK-u dhe sindikatat e tjera në kuadër të BSPK-së kanë bërë gjithë angazhimet dhe nuk i kanë ndalur përpjekjet që kërkesat legjitime të anëtarësisë të gjejnë zgjedhje të pranueshme.
Nga ana tjetër, kryeministri Kurti bashkë me ministra të Qeverisë së tij kanë vazhduar me qasjen e gabueshme ndaj sindikatave dhe i kanë ikur vazhdimisht dialogut. Duke u gjendur në këtë situatë e duke parë se kryeministri Kurti nuk po qante kokën as pas letrave mbështetëse të ardhura nga kreu i Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës e as protestës me mbi 18.500 pjesëmarrës, po në të kundërtën nisi t’u jepte vërejtje e këshilla lidhur me sindikalizmin”, thuhet në komunikatë.
“SBASHK-u dhe sindikatat e tjera në kuadër të BSPK-së filluan me veprime sindikale, duke organizuar protesta e duke mbajtur edhe grevë njëorëshe. As këto nuk i bënë përshtypje Kurtit e as Qeverisë së tij”, thuhet më tej.