Qeveria e Kosovës nuk i ka procesuar pagat për muajin për mësimdhënësit të cilët ishin pjesë e grevës.
Facebook
Twitter
Email
Në lidhje me këtë, kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jasharaj në një përgjigje për Teve1.info tha se nëse pagat nuk do të procesohen deri më 5 tetor, do të bisedojnë me anëtarët e kësaj sindikate për të marrë hapa të tjerë.
Jasharaj nuk përjashtoi edhe mundësinë e rikthimit të grevës.
Sipas tij, Qeveria duket se ka dëshirë që në Kosovë të ketë greva.
“Nuk kemi si ta lexojmë ndryshe përpos asaj se Qeveria duke se ka dëshirë që në Kosovë të ketë greva sepse asnjë Qeveri në botë nuk do të vepronte kështu, menjëherë pas fillimit të vitit shkollor dhe ndërprerjes së grevës”, deklaroi Jasharaj për Teve1.info
Ai po ashtu, tha se uron që pagat të procesohen, pasi nuk garanton se çfarë do të ndodh më tutje.
“Kjo është Qeveria jonë që e zgjodhëm vetë, sepse 51 përqind të votave nuk janë marrë jashtë arsimit, shume nga kolegët e mi kanë votuar pro kësaj Qeverie, e cila po i shpërblen në këtë mënyrë. Me këto veprime këta po duan që greva të vazhdojë dhe kjo është qasje e gabuar, uroj që t’i procesojë pagat, sepse nuk garantojë se çfarë do të ndodhë. Në të kundërtën do t’i thërrasim organet e SBASHK-ut dhe të bisedojmë për hapat e tjerë dhe pa dëshirën tonë mund që të ketë kërkesa që greva të kthehet. Cilindo vendim që e merr anëtarësia e SBASHK-ut unë do ta respektoj pavarësisht njerëzve të Qeverisë, u pa kush është fajtori, Jasharaj nuk është fajtorë”, theksoi Jasharaj.
Të hënën e 3 tetorit ka filluar viti i ri shkollor, pas një muaj grevë organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit.
Por, në të njëjtën ditë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur se nuk do të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit që ishin në grevë.
Ndërkaq, sot Kryeziu ka deklaruar se mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim do të kompensohen. /Teve1.info/