Shqetësuese dhe fatale për arsimin në Kosovë e ka quajtur Sindikata e Arsimit, ikjen e mësimdhënësve nga Kosova të cilët po e shfrytëzojnë pushimin njëvjeçar pa pagesë për të gjetur punë më të mirë në Evropë.
Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, Vjollca Shala në emisionin InfoNata ka paralajmëruar se ky numri i mësimdhënësve që pritet ta braktisin Kosovën të arrijë deri në 600.
Këtë trend të ikjes së mësimdhënësve ajo e ka quajtur shqetësuese dhe fatale për arsimin në Kosovë, transmeton tëvë1.
“Vitin e kaluar, numri I mësimdhënësve që kanë kërkuar pushim pa pagesë për një vit, ka qenë rreth 400. Ndërsa, tani në gjysmën vjetorin e parë të viti të ri shkollor, pritet të kemi një rritje të kërkesave të mësimdhënësve të cilët do të kërkojnë pushim pa pagesë, që mendojmë se do të jetë rreth 500 apo edhe 600 mësimdhënës. Shumica e tyre dëshirojnë të emigrojnë në vendet e Evropës, për shkak kushteve më të mira.”, u shpreh Shala në InfoNata në Tëvë1.
Ajo ka shtuar se ky trend I ikjes së mësimdhënësve do të vërehet në arsimin parauniversitar, në shkollat fillore, të mesme të ulëta, dhe në ato të larta.