Pas tre javë grevë në sektorin e arsimit në Kosovë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka pranuar ofertën e krerëve të institucioneve të shtetit, ku me këtë marrëveshje të arritur sot, koeficienti të cilin e kërkonin të rritet për 30 për qind, rritet për rreth 20 për qind. Me marrëveshjen e arritur, Qeveria e Kosovës ndan rreth 8 milionë euro në vit për sektorin e arsimit. Në SBAShK tani po thonë se kanë pranuar të bëjnë një kompromis të tillë duke marrë parasysh humbjen e mësimit për nxënësit, dhe kërkesat e prindërve për fillim të procesit mësimor.
Sot ka përfunduar java e tretë e grevës së sektorit të arsimit, ku kërkesë të vetme kishin rritjen e koeficientit prej 30 për qind.
Shumë të vendosur, SBAShK-u deklaroi në vazhdimësi se nuk heqin dorë nga greva derisa kërkesa e tyre të plotësohet.
Por dje, ata mbajtën një takim me ministrin e Financave, Bedri Hamza, i cili u premtoi zgjidhje.
Ndërsa sot, përfaqësuesit e SBAShK-ut u pritën në takim në kabinetin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i Financave Bedri Hamza dhe kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Nait Hasani.