Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka uruar mësimdhënësit për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit.
Përmes një komunikate për medie, SBASHK-u ka përcjell “urimet më të përzemërta dhe mirënjohjen e pakufishme për punën tuaj të palodhur dhe përkushtimin e treguar ndër vite në edukimin e gjeneratave të reja”.
“Falë angazhimit tuaj, sot kemi shumë doktorë shkencash, mjekë, juristë, gjykatës, prokurorë dhe profesionistë të shumtë në fusha të ndryshme, të cilët kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë sonë. Në veçanti, dëshirojmë të nderojmë kontributin tuaj gjatë viteve të vështira 1990-1999, kur, përballë sfidave të mëdha, u dëbuat nga shkollat dhe mbetët pa paga. Megjithatë, ju vazhduat misionin tuaj fisnik pa u ndalur as edhe një ditë, duke edukuar brezat e rinj në kushte të vështira”, thuhet në komunikatë.
Tutje, theksohet se një numër i konsiderueshëm prej mësimdhënësve iu bashkua radhëve të UÇK-së, duke kontribuar në çlirimin e vendit tonë, e për SBASHK-un, fakti që kjo datë korrespondon edhe me Epopenë e UÇK-së, e bën atë edhe më domethënëse.
“Megjithatë, ndjejmë një shqetësim të thellë që shteti ynë aktualisht nuk e njeh plotësisht këtë kontribut të jashtëzakonshëm të viteve ’90. Si rezultat, disa nga ju po dilni në pension duke marrë vetëm pensionin e pleqërisë, pa u vlerësuar si duhet me pensionin kontributdhënës që meritoni. SBASHK-u do të vazhdojë të angazhohet për të drejtat tuaja dhe për njohjen e plotë të kontributit tuaj të çmuar”, thuhet më tej në komunikatën e SBASHK-ut.