SC Gjilani ka pësuat humbje në udhëtim ndaj Llapit në kuadër të xhiros së 24-të.
Në duelin e luajtur në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, rezultati ishte 2:1 në favor të ekipit llapjan.
Me këtë fitore, Llapi është lider në Superligë me 50 pikë të mbledhura, dy më shumë se Ballkani që ka një ndeshje më pak të luajtur. Sulmuesi Ahmed Januzi në minutën e 45-të shënoi me kokë për ta kaluar Llapin në epërsi (1:0), rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.
Gjilani barazoi shifrat në minutën e 71-të me anë të Senad Jaroviqit, që ishte i saktë nga penalltia.
Megjithatë, Llapi në minutën e 90-të e siguroi fitoren me golin e realizuar nga Muhamet Hyseni. Hyseni shënoi nga penalltia, e cila shkaktoi polemika të mëdha dhe u konfirmua edhe nga sistemi VAR. Në fakt, portieri i Gjilanit, Aridon Bllaca priti gjuajtjen e parë të Hysenit nga pika e bardhë por penalltia u përsërit dhe sulmuesi i Llapit shënoi golin e tij të 18-të këtë edicion.