Sot me fillim në ora 13 do të tërhiqet shorti për Europa Conference League, ku Kosova do të përfaqësohet me tri ekipe, Dritën, Gjilanin dhe Llapin.
Ekipi i Gjilanit, që për herë të dytë del në Evropë do të mundësojë njërin nga kundërshtarët e mundshëm, Kuopion Palloseura (Finlandë), Laçi (Shqipëri), Mura (Slloveni), Liepāja (Letoni) apo Kauno Žalgiris (Lituani), shkruan kryelajmi.com
Po cilat janë të arriturat e deritashme të SC Gjilanit në Evropë. Ekipi bardh e kuq, daljen e parë në Evropë e pati më 21 gusht 2020, kur në San Mariono u përball me ekipin Tre Penne ndaj të cilit ngadhënjeu me rezultat 3:1. Ishin vendasit që në minutën 16 patën shënuar me anë të lojtarit Nikola Gai që pati qëlluar këndin e epërm të majtë të portës së Koliqit. Gjilani pati barazuar pas një harkimi të Gerhard Prognit, kurse malazezi Darko Nikaq pati kërcyer dhe ka qëlluar topin me kokë, duke e futur atë në rrjetë për 1 : 1. Gjilani kishte ardhur në epërsi me golin e Fiton Hajdarit në minutën 64, kurse fitoren e pati vulosur në minutën 68, kur Ardit Hila nga afërsia e futi topin në rrjetë. Kjo ndeshje ishte zhvilluar në kuadër të ndeshjeve preliminare, kurse kundërshtari i ardhshëm i Gjilanit ishte ekipi APOEL nga Qiproja.
Ndeshja ndaj ekipit qipriot ishte zhvilluar më 27 gusht 2020 në Prishtinë dhe ndeshja kishte përfunduar me rezultat të barabartë 0:0, andaj u desh që të luhet koha shtesë. Duhet cekur se këtë vit shkaku i pandemisë nuk kishte ndeshje kthimi. Në vazhdime, ekipin që atëherë udhëhiqej nga Gentian Mezani e lëshoi forca dhe humbi me rezultat 0:2. Për qipriotët patën shënuar Efrem, që me kokë qëlloi këndin e poshtëm të majtë të Koliçit e më pas edhe Ndongala që vulosi fatin e këtij takimi 0:2.
Gjilani në garat evropiane (UEFA Europa League) i ka të zhvilluara dy ndeshje, prej tyre ka një fitore dhe një barazim, kurse sivjet do të paraqitet në UEFA Europa Conference League. /Kryelajmi.com/.