Skuadra e SC Gjilanit nesër do të përballet me ekipin e Llapit nga Podujeva, në atë që pritet të jetë një sfidë e vështirë dhe shumë e rëndësishme për kuqebardhët.
Pas një humbjeje të papritur kundër Ferizajit në xhiron e fundit, me rezultat 1-2, ekipi i trajnerit Ardian Nuhiu ndodhet përballë një situate sfiduese. Ky rezultat ka krijuar shqetësime në kampin e Gjilanit, duke bërë që ky takim të shihet si një mundësi për rikthimin në rrugën e fitoreve dhe ruajtjen e pozicionit në tabelë.
Gjilani kërkon të rikuperojë pikët e humbura dhe të harrojë zhgënjimin e fundit përmes një performance të fortë dhe vendosmërie për fitore të plotë ndaj Llapit.
Para takimit, trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu, do të mbajë sot një konferencë për media, ku do të flasë për rëndësinë e këtij dueli dhe për strategjitë që ekipi do të ndjekë në kërkim të fitores. Bashkë me të, në konferencë do të marrë pjesë edhe lojtari Albin Prapashtica, i cili pritet të jetë një faktor kyç në ndeshjen e nesërme.
Konferenca do të fillojë në orën 12:00, ku ata do të ndajnë qëndrimet dhe synimet për këtë sfidë.
Ndeshja zhvillohet nesër duke filluar nga ora 13:00, në stadiumin ndihmës në Gjilan.