Për çdo ditë, së paku në katër familje në vend, ushtrohet dhunë. Vetëm gjatë këtij viti, dajak është shpërndarë në rreth një mijë familje kosovare. Nuk janë të rralla as rastet ku zënkat brenda familjeve kanë përfunduar edhe me vrasje. Krahasuar me 2016-ën, numri i këtyre rasteve është dyfishuar. Për dhunën në familje, disa herë kanë reaguar edhe ambasadori amerikan dhe ish ambasadori britanik.
Mëngjesi i së shtunës filloi me bërtima e shuplaka në një familje në fshatin Gjonaj të Prizrenit. Në këtë përleshje u përfshinë tre anëtarë të kësaj familjeje, vjehrri dhe nusja. Pas një mosmarrëveshje kjo e fundit iu kishte dhënë dajak të dy prindërve të bashkëshortit të saj, duke i bërë për spital.
Por, se çka e shtyri nusen që të ushtronte dhunë ndaj vjehrrive të saj ende nuk dihet. Në prokurori nuk pranojnë që të japin detaje rreth arsyes së përleshjes, duke thënë se rasti është në fazën fillestare.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti i ka thënë Express’it se të pandehurës i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
“Për të njëjtën, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Gjykata Themelore në Prizren, e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar masën e paraburgimit prej (1) muaji ndaj të pandehurës B.T. Rjedhimisht, rasti është në fazën fillestare të hetimit, andaj për rrjedhën e mëtutjeshme të rastit do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjet e Mehmetit.
Por, ky nuk është rasti i vetëm i dhunës në familje. Numri i këtyre rasteve vetëm sa po shkon duke u rritur me kalimin e viteve.
Madje, krahasuar me vitin 2016, numri i rasteve të dhunës në familje pothuajse është dyfishuar.
Bazuar në numrin e rasteve që raportohen në polici, së paku katër shtëpi përballen me dhunën në familje për çdo ditë.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës vetëm prej janarit e deri në gusht janë raportuar rreth 1 mijë raste të dhunës në familje.
Rajoni që prin me numër të këtyre rasteve, është ai i Prishtinës. Ndërkohë, nëse krahasohet numri i rasteve me vitet paraprake, shihet se dhuna në familje është në rritje.
Përderisa gjatë tërë vitit 2016, në gjithë vendin numri i rasteve të dhunës në familje ishte 870, gjatë vitit të kaluar numri i këtyre rasteve pothuajse është dyfishuar, duke arritur kështu në 1541 raste.
E se numri i rasteve të dhunës në familje është i lartë e tregojnë edhe kërkesat e shumta për strehim nëpër qendra. Shumica e grave që kanë përjetuar dhunë në familje, kanë gjetur përkohësisht strehim në Qendrën për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.
Drejtoresha e kësaj qendre, Zana Asllani, i ka thënë Gazetës Express se në qendrën që ajo drejton aktualisht janë të strehuara dy raste.
Hamiti thotë se kjo strehimore u ofron shërbime rasteve të dhunës në familje nga Regjioni i Prishtinës, por që në rast nevoje edhe nga gjithë territori i Kosovës.
Sipas saj, që nga tetori i vitit të kaluar e deri në gusht të këtij viti, strehim në këtë qendër kanë kërkuar 126 raste.
“Strehimorja QMGF, pas disa sfidave që i pati për 16 muaj (tetor 2016,– maj 2018 ) rifilloj punën në qershor të 2018, dhe për periudhën qershor 2018 – gusht 2019 , ka strehuar 126 raste . Rregullorja e QMGF , parasheh strehimin nga 24 ore e deri ne 6 muaj, mirepo ka raste qe qendrojne me gjatë deri në zgjidhjen adekuate për ato”, thuhet në përgjigjet e Asllanit.
Ndërkohë, që nuk janë të rralla as rastet kur kosovarët i përgjakën duart me gjakun e familjarëve të tyre.
Rasti i fundit është ai i vrasjes së 45 vjeçares nga Prizreni, Armenda Aliut. Ajo mbeti e vrarë nga 15 plumbat e shtënë nga bashkëshorti i saj, Bajram Velija.
Një vrasje e ngjashme kishte ndodhur edhe në Gjakovë para rreth një viti në familjen Marku. Valbona Ndrecaj bashkë me vajzën e saj u vranë me breshëri plumbash kallashnikovi nga bashkëshorti i saj, Pjetër Ndrecaj.
Për dhunën në familje kanë reaguar disa herë ambasadori amerikan dhe ish ambasadori britanik në Kosovë.
Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Philipp Kosnett, kishte thënë se dhuna në familje kërkon zgjidhje shoqërore.
“Vrasja tragjike në Prizren është një thirrje që dhuna në familje kërkon zgjidhje shoqërore. Institucionet duhet të ndalin së trajtuari këtë dhunë si një problem familjar, dhe duhet të përmirësojnë parandalimin dhe mbrojtjen. Është koha për palët që të propozojnë zgjidhje për t’u ballafaquar me dhunën”, kishte shkruar ai në Twitter.
Ndërkohë, ambasadori britanik kishte thënë se dhuna në familje mbetet problem dhe njollë e turpshme për shoqërinë.
“Kjo mbetet një problem, një damkë për shoqërinë. Ky krim, dhuna seksuale në konflikt ka qenë me qëllim, strategji për ta traumatizuar popullatën, në përkrahjen e objektives, strategjisë për spastrim etnik. Fatkeqësisht ka pas heshtje në Kosovë dhe botë kjo heshtje dëmton viktimën dhe kërkesën për drejtësi, ne kemi faj që nuk kemi folë gjatë për këtë dhunë”, kishte thënë O’Connell.
Pyetje janë dërguar edhe në Shërbimin Korrektues të Kosovës për të marrë informacione rreth numrit të personave që janë në vuajtje të dënimit, në Prokurori për numrin e rasteve të dhunës në familje që i kanë trajtuar gjatë këtij viti dhe në Gjykata për vendimet mbi këto raste, por asnjë prej këtyre institucioneve nuk kanë kthyer përgjigje.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet.”
Për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, institucionet e Kosovës kanë iniciuar procedurat ligjore, të cilat mundësojnë më pas ratifikimin e Konventës së Stambollit.
Kjo Konventë në botë njihet si instrumenti më i mirë ligjor, për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave të saj, kurse ndjekja penale e dhunuesve janë bazamenti i Konventës së Stambollit.
Konventa e njeh dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe si formë diskriminimi, kjo do të thotë që shtetet kanë përgjegjësi nëse nuk i përgjigjen në mënyrën e duhur kësaj dhune