Së shpejti pritet të funksionalizohet Agjencia për Siguri Kibernetike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila synon të monitorojë dhe parandalojë sulme të ndryshme kibernetike në Kosovë. Këtë e bëri të ditur për Radio Kosovën drejtori i Departamentit për administrim të sistemeve dhe komunikimeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Artan Dreshaj. Ndërsa, ekspertë të kësaj lëme thonë se aktualisht ka rritje të sulmeve me motive inteligjente.
Kosova disa herë ka qenë cak i sulmeve kibernetike, ku në vitin 2018, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Punëve të Jashtme kanë raportuar për sulme të tilla, ndërsa edhe në vitin 2022, Ministria e
Punëve të Brendshme ka pasur sulme kibernetike. Për ngritjen e kapaciteteve profesionale për t’u mbrojtur nga këto sulme kibernetike, në Kuvendin e Kosovës është miratuar edhe Ligji për Sigurinë
Kibernetike, që i ka hapur rrugë themelimit të Agjencisë për Siguri Kibernetike.
Por, kjo agjenci ende nuk është funksionalizuar, derisa drejtori i departamentit për administrim të sistemeve dhe komunikimeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Artan Dreshaj, tha për Radio Kosovën se së shpejti do të jetë funksionale. Ai theksoi se kërcënime dhe sulme ka në vazhdimësi ndaj sistemeve të informacionit, por që sipas tij, Kosova ka hartuar kapacitetet dhe politikat për të krijuar një hapësirë kibernetike të sigurt brenda shtetit.
“Janë finalizuar dy akte nënligjore shumë të rëndësishme që ndërlidhen me themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike, që do të jetë agjenci ekzekutive kombëtare, e cila do të kujdeset dhe monitorojë zbatimin e masave minimale të sigurisë prej të gjitha entiteteve. Në këtë rast, do të fokusohet tek infrastruktura kritike kombëtare. Tashmë është strukturuar rregullorja dhe është e aprovuar nga kryeministri. Aktualisht jemi duke punuar në përshkrimin e vendeve të punës, pra, do të jetë agjenci e re ekzekutive, me kapacitete të reja, që synon të monitorojë dhe parandalojë sulme të ndryshme kibernetike”, tha Artan Dreshaj.
E sipas ekspertit të sigurisë kibernetike, Mentor Hoxhaj, sulmet janë kryesisht të orientuara kundrejt institucioneve shtetërore dhe atyre publike private. Ndërsa, bëri të ditur se tani ka rritje të sulmeve me motive inteligjente.
“Në të kaluarën kjo ka qenë diku rreth 8 për qind, ku 92 deri në 96 për qind të sulmeve në total kanë qenë të motivuara financiarisht së bashku me motivin inteligjent. Motivi inteligjent është duke kaluar tani 20-30 për qind. Sulmet me motive inteligjente janë sulme të cilat janë të motivuara nga shtetet sponsorizuese ku personat hakerë që kryejnë sulme, mund të jenë grupe të paguara apo të ndërtuara brenda tyre, grupe të paguara nga shteti, ku në këtë drejtim ka pasur sulme nga Rusia, Kina dhe në të kaluarën edhe nga Korea”, deklaroi Hoxhaj.
Në kuadër të politikave dhe krijimit të mekanizmave institucionalë, është themeluar edhe Qendra Trajnuese për Siguri Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila do të ketë për qëllim trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve për të gjithë stafin që do të merret me menaxhimin dhe administrimin e sistemeve të informacionit.