Kosova është duke e kryer një prej hetimeve më të mëdha në historinë e saj. Kështu ka thënë sot ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në lidhje me hetimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Sveçla ka paralajmëruar se shumë shpejt Policia dhe Prokuroria do të publikojnë raportin për hetimin e sulmit terrorist ku mbeti i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe tre terroristë serbë, transmeton Zeri.info.
“Për çështjen e sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator, tashmë jeni njoftuar që Policia e Kosovës me Prokurorinë janë duke bërë hetimet më të mëdha në historinë e Republikës së Kosovës. Patjetër unë shpresoj që shumë shpejtë do ta dalin me rezultatet preliminare, kjo është edhe një ndër kërkesat që i kam adresuar edhe Policisë dhe Prokurorisë përmes Policisë, që sa më shpejtë të kemi një raport preliminar mbi të gjeturat nga ky rast, por edhe nga rasti i kidnapimit të policëve”.
“D.m.th. përgjegjësit kryesorë për hetim dhe për të ndërmarrë hapat e duhur se a do të dalin me raport për hetimet e tyre unë besoj që duhet t’i pyesni ata. Unë pres që ditëve në vijim që Prokuroria dhe Policia të dalin me raport mbi gjetjet për këto dy raste jashtëzakonisht të rënda për Kosovën”, tha Sveçla në një konferencë për media të mbajtur sot bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha.