Disa prej të dyshuarve në rastin e zhvatjes së mbi 1 milion eurove nga Byroja Kosovare e Sigurimeve u është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë mbajtjes së seancës dëgjimore ndaj tyre.
Sipas njoftimi të Gjykatës Themelore të Prizrenit, seanca e nisur në ora 16:00 ndaj 39 të pandehurve ka mbaruar në orën 23:00 të së premtes.
Po ashtu bëhet e ditur se gjatë kësaj seance disa nga palët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Gjatë zhvillimit të seancës, disa nga palët në procedurë kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore, për çka Gjyqtari i procedurës paraprake ka ndërprerë disa herë seancën dhe palëve i’u është ofruar ndihma e nevojshme përmes Emergjencës, dhe kur palët kanë qenë të gatshme ka vazhduar me seancën për caktimin e masës së sigurisë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prizren të caktojë masën e paraburgimit për ish-drejtorin ekzekutiv të BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtorin e Financave, Valon Berisha, si dhe F.S., dhe Y.Ç.
Ndërkaq, për 35 të pandehurit e tjerë, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës ‘Paraqitja në Stacion Policor’ dhe’ Ndalimin’ për t’iu ofruar vendit ose personit të caktuar.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.









