Ambasada e Gjermanisë në Kosovë përmes një komunikat për media ka thënë se ambasadori Jörn Rohde, së bashku me përfaqësues të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, do të marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës.
Ambasada thekson rëndësinë e kësaj seance, duke pasur parasysh afatin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
“Duke pasur parasysh që nesër është mundësia e fundit për të konstituar Kuvendin para afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, ambasadori Rohde, së bashku me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të marrë pjesë në seancën e Kuvendit,” thuhet në njoftimin e Ambasadës gjermane.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve ndërkombëtarë nënvizon rëndësinë që ka përfundimi me sukses i këtij procesi kushtetues për stabilitetin institucional në vend.