Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dardan Sejdiu ka thënë se lidhja e koalicionit qeverisës mes LVV-së dhe PDK-së në Gjilan, është “lajm i mirë për Kosovën”.
Sejdiu, tha se lidhja e koalicionit qeverisës në Komunën e Gjilanit definon vendosjen e “normalitetit në marrëveshjet politike për qeverisje”.
“Ky është lajm i mirë për Kosovën, më në fund po vendoset në normalitet marrëveshja politike për qeverisje! Fillim i mbarë i vitit 2022”, tha ai.
“Sa më shumë diskutim e bashkëpunim, sa ma pak etiketa përgjithësuese, aq më mirë për vendin”, u shpreh Sejdiu.
Kuvendi Komunal i Gjilanit ka thirrur mbledhje urgjente për zgjedhjen e kryesuesit të asamblesë.
Mbledhja e jashtëzakonshme është caktuar të mbahet sot, e enjte, në orën 15:00.
Në rend dite, veç zgjedhjes së kryesuesit të kuvendit, do të jetë edhe betimi i anëtarëve të asamblesë.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje në Gjilan.
Këtë e konfirmoi për Paparacin u.d. i kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, i cili tha se janë dakorduar që kjo parti të marrë pozitën e nënkryetarit dhe katër drejtori.