Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, është denoncuar nga sekretari i kësaj ministri Betim Reçica, për presion që një tender ta fitojë një kompani nga Gjilani.
Rexhep Kadriu, i cili vjen nga partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, Aleancës për Ardhmëinë e Kosovës, ka provuar të ndërhyjë dhe të ushtrojë ndikim për ta favorizuar një kompani të caktuar për ta fituar një tender.
Ai fillimisht ka thënë se po dëgjon për rastin për herë të parë nga televizioni, më pas ka thënë se nuk e mohon as nuk e pohon ngjarjen, raporton KTV.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e ka konfirmuar denoncimin e sekretarit, por ka thënë se po e pret edhe raportimin e zëvendësministrit për të vendosur për masat e mundshme.
“Njëjtë si letrën nga sekretari, po pres edhe raportimin nga zëvendësministri, pastaj do t’ju informojmë për versionet nga të dyja palët. Pas pranimit të raportit dhe shqyrtimit, do të mund të flasim për procedura të mëtutjeshme”, ka thënë Lekaj.
Më poshtë gjeni letrën që i është dërguar ministrit Lekaj
“I nderuar ministër, Përmes e-mailit zyrtar, me datën 15.07. 2019 në ora 08:06 minuta, kam pranuar njoftimin për “raportim për ndërhyrje dhe ushtrim ndikimi”, të dërguar nga znj. Blediona Gegollaj, anëtare e Komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Ekzaminimet kontrolluese për shërbime laboratorike të rrugëve regjionale dhe rajonale”, me numër prokurimi MI 19 019 211. Sipas “raportit për ndërhyrje dhe ushtrim të ndikimit”, me datën 11.07.2019, ditë e enjte, z. Rexhep Kadriu, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, e ka thirrur znj. Blendiona Gegollaj në zyrën e tij dy herë, përmes asistentes së tij Drenusha Sherifi, rreth orës 11:00, me qëllim të ushtrimit të ndikimit që komisioni të veprojë në favor të tij. I njëjti e ka ftuar edhe anëtarin e komisionit z. Hysen Merovci, për vlerësimin e ofertave për të ushtruar ndikim që i njëjti të mos aplikojë kriteret e dosjes së tenderit ndaj kompanisë “IPE – Controls”, pasi që te kjo kompani kemi konstatuar mungesë të pajisjeve gjatë vizitës në terren. Të njëjtën ditë, z. Hysen Merovci ka raportuar në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm…”/KTV/