Vetëm 22 milionë euro deri më tani ka shpërndarë Ministria e Financave për sektorin privat nga fondi 222 milionë eurosh, fond ky në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, bëjnë të ditur zyrtarë të kësaj ministrie. Nga kjo vlerë, 13 milionë euro janë shpërndarë për sektorin e bujqësisë dhe nëntë milionë euro për bizneset private.Kompania “Ekstra Fruti” është një nga kompanitë në Kosovë që nuk ka fituar ndihmë financiare nga Qeveria e Kosovës, që nga fillimi i zbatimit të Programit për rimëkëmbje ekonomike, të krijuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.Kjo kompani që gjendet në Komunën e Prizrenit, merret me përpunimin e frutave, eksporton në disa shtete të rajonit dhe Evropës dhe numëron 30 punëtorë.Pronari i saj, Ridvan Islamaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se vonesa në shpërndarjen e mjeteve të premtuara nga Qeveria e Kosovës, po ndikon në afarizmin e tij.“Me mjetet e qeverisë pres që të rris numrin e punëtorëve dhe të avancoj teknologjinë prodhuese sepse kam kërkesa të shumta për eksport të produkteve jashtë vendit, por kapacitetet ekzistuese më pamundësojnë lidhjen e kontratave të reja”, tha Islamaj.Shpërndarja e mjeteve nga Programi për rimëkëmbje ekonomike, që arrin vlerën prej 222 milionë euro, ka filluar në muajin janar të këtij viti. Deri më tani, janë shpërndarë vetëm 78 milionë euro. Nga kjo vlerë, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nëntë milionë euro janë ndarë për bizneset në sektorin privat (gjashtë milionë e gjysmë për të vetëpunësuarit, një milion për gratë në ekonomi dhe një milion e gjysmë për mbulimin e tarifës së garantuar për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore) dhe 13 milionë euro për sektorin e bujqësisë.Vlera më e madhe me mbi 20.7 milionë euro është shpenzuar për skema sociale, kurse 16.2 milionë euro janë ndarë për punëtorët në sektorin e shëndetësisë, arsimit, policisë dhe zjarrfikësit.Ndërkaq, të hënën, qeveria në detyrë ka ndarë dhjetë milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë për blerjen e materialeve, aparaturave mjekësore, tetë milionë euro janë ndarë për subvencionimin e tarifës për burime të ripërtërishme të energjisë dhe 500 mijë euro janë ndarë për Ministrinë e Kulturës.Programi për rimëkëmbje ekonomike është paraparë të sjellë favore për bizneset dhe të lehtësojë gjendjen financiare pas humbjeve të shkaktuara nga sëmundja COVID-19.Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se shpërndarja e mjeteve nuk po realizohet në bazë të prioriteteve të zhvillimit ekonomik. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ai shprehet se zhvillimi i sektorit privat mundëson edhe uljen e rasteve sociale.“Nuk mund të flitet për rimëkëmbje kur fondet kryesore apo vlerat më të mëdha nuk janë për biznes, por për skema të tjera të cilat janë të nevojshme. Fuqinë ekonomike nuk e sjellin skemat sociale, por skemat zhvillimore. Skemat zhvillimore vijnë nga sektori privat, të cilat duhet të mbështeten drejtpërdrejti”, thekson ai.Vlera prej nëntë milionë euro e ndarë për biznese, sipas Shahinit, është e pamjaftueshme vetëm për një kompani të madhe prodhuese dhe eksportuese.“Me ritmin aktual, nëse ekonomia vazhdon të ecë pa mbështetje nga institucionet e shtetit, por me iniciativa private, ekonomisë së vendit i duhet se paku dy-tri vjet të kthehet në gjendjen e vitit 2019”, thekson ai.Prioritet në Programin e rimëkëmbjes ekonomike është sektori i shëndetësisë, thotë ministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi, si me pajisjen e aparaturave, barnave dhe të çështjeve tjera. Dhe këtë arsye, sipas tij, pjesa më e madhe e mjeteve është ndarë në sektorin e shëndetësisë.Ndërkaq, sa i përket shpërndarjes së mjeteve të tjera, Krasniqi thotë se varet nga plotësimi i kritereve nga ministrive të linjës.Sektori privat, thotë Krasniqi, ka nevojë për më shumë për mbështetje nga institucionet financiare dhe për këtë janë ndarë mjete për Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.“Kështu që brenda 222 milionë eurosh janë ndarë 40 milionë euro për Fondin për Garantim të Kredive për të ndihmuar sektorin privat. Këto nuk janë grante, por mjete të garantuara për të pasur qasje më të lehtë në financa”, thekson Krasniqi.Në pritje të marrjes së mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës, në sektorin privat janë: sektori i gastronomisë tre milionë euro, pesë milionë euro presin subvencionim kompanitë prodhuese, një milion euro janë ndarë për mbështetje për ndërmarrësi dhe dhjetë milionë euro presin punëtorët të cilët kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë.Mbështetje për rimëkëmbje ekonomike për sektorin e prodhimit në Ballkanin Perëndimor, ka premtuar edhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC). Në një komunikatë për media, të kësaj korporate të publikuar të martën, thuhet se “IFC po lanson një platformë digjitale që do të rrisë lidhjet mes kompanive në Ballkanin Perëndimor dhe zinxhirëve rajonalë dhe globalë të vlerave të shtuara, si pjesë e një përpjekjeje të IFC-së për krijimin e vendeve të punës dhe për mbështetjen e rimëkëmbjes ekonomike të rajonit nga pandemia e COVID-19”.Kjo iniciativë është pjesë e një programi këshillues të IFC-së, në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, i cili pritet të lehtësojë financim prej 45 milionë dollarësh amerikanë për kompani prodhuese. Këtu përfshihen edhe pesë milionë dollarë amerikanë në investime të huaja direkte dhe mbështetje për të rritur vendet e punës me vlerë të shtuar më të lartë.COVID-19, thuhet në komunikatë, ka shkaktuar presion mbi prodhuesit në mbarë Ballkanin Perëndimor dhe programi është dizajnuar për të krijuar mundësi të reja për kompanitë, duke shpejtuar rimëkëmbjen nga pandemia.
Sektori privat ndihmohet me nëntë milionë euro
Ndani këtë artikull