Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se në aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe AKI-së janë arrestuar tre persona të dyshuar për krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash.
Sipas Sveçlës, gjatë këtij operacioni është sekuestruar pasuri në vlerë mbi një milion euro.
Aksioni është zhvilluar në katër lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, telefona, kompjuterë, USB, para të gatshme dhe dokumente të ndryshme.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, të arrestuarit kanë mashtruar kryesisht shtetas të huaj, duke i nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi.
“Lufta kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale po vazhdon pa kompromis”, ka shkruar Sveçla.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.










