Aleksandër Sekuloviç, nënkryetar i Aleancës së Antifashistëve të Serbisë, ka kritikuar ashpër reagimin e autoriteteve serbe ndaj sulmeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, madje duke e cilësuar skizofrenike retorikën e politikanëve në Serbi.
Në një intervistë për The Geopost të dielën, ai ka konsideruar se sulmet e fundit, përfshirë sulmin në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023 dhe sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në vitin 2024, janë pjesë e përpjekjeve për të destabilizuar Kosovën.
“Ata gjoja distancohen nga ato ngjarje dhe në thelb i perceptojnë si të tyret, gjë që më së miri shihet nga fakti se në Serbi u shpall zi kombëtare për shkak të rënies së disave në Banjskë, si dhe nga fakti se ata që vdiqën, në mediat qeveritare cilësohen si ‘heronjtë serbë’. Ato incidente janë përpjekje për të destabilizuar Kosovën”, ka thënë ai.
Duke folur rreth kleronacionalizmit serb, ai ka theksuar se kjo ideologji është e pranishme në të gjithë rajonin, kryesisht në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, dhe se ka një tendencë në Serbi për rritjen e tensioneve që mund të çojnë në konflikt.
“Prandaj, nëse merret parasysh pamja e përgjithshme e kleronacionalizmit serb, si dhe pritshmëria e autoriteteve serbe që administrata [amerikane e presidentit të zgjedhur Donald] Trump do të mbështesë këtë politikë ‘muskulare’, atëherë mendoj se periudha në vijim do të sjellë përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve dhe konflikteve”.