Bizneset dhe banorët e një prej rrugëve më problematike të Gjilanit në lagjen ‘Dardania’, po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të punimeve të papërfunduara.
Në një kërkesë publike drejtuar kryetarit të Komunës, Selatin Mehmeti ka ngritur shqetësimin për pluhurin, guralecët dhe gjendjen e rënduar infrastrukturore që po dëmton jo vetëm shëndetin e qytetarëve, por edhe aktivitetin e bizneseve vendore.
Sipas tij, projektet për këtë rrugë janë premtuar nga çdo qeverisje komunale, por asnjëherë nuk janë finalizuar siç duhet. Mehmeti kërkon që procesi të mos prolongohet më tej dhe propozon një zgjidhje të qëndrueshme për të shmangur hapjen e vazhdueshme të rrugës për secilin shërbim në mënyrë të veçantë.
Kërkesa publike:
Apelojmë, lutemi dhe përkulemi ndaj kryetarit të komunës që të finalizojë këtë projekt, pasi jemi në një hall të madh me pluhur dhe guralecë që po na hynë në lokale. Ky është një problem i madh, jo vetëm për shëndetin, por edhe për pastrimin, pasi kemi pemëshites, qebaptore, barnatore, mishtore dhe shumë biznese të tjera, dhe kjo gjendje nuk është e mirë për shëndetin publik.
Kjo rrugë është një prej më eksperimentaleve në komunën e Gjilanit. Çdo qeveri që ka ardhur ka pasur një projekt për këtë rrugë, dhe pa dashur të flas negativisht, po e them që kjo e fundit ka vendosur një gyp të ujësjellësit dhe e ka lënë të mbyllur për disa javë. Ka mbetur për ta hapur përsëri për të bërë kyçjen në gypin e ri të ujësjellësit, por më e keqja është se për kyçjen nuk ka ndonjë plan nga organet përkatëse për vendndodhjen e kyçjeve të vjetra. Kështu, mbetet të hapen gropa për kyçje, dhe kjo mund të zgjasë muaj të tërë.
Propozimi im është që kyçjet të lihen për më vonë, atëherë kur komuna të ketë mundësi financiare për të ndërruar edhe kanalizimin, rrjetin nën tokë, kabllot e internetit dhe, pse jo, edhe ndonjë gyp për kyçjen e gazit për ngrohje, nëse do të ndodhë ndonjëherë. Kjo është më e mira, pasi nuk ka kuptim të hapen gropa dhe kanale veç e veç për secilin shërbim (kabllo, kanalizim, etj).
Prandaj, më së miri do të ishte që të kthehen kubzat dhe të presim për një projekt të cilin mund ta finalizojmë përfundimisht, duke përfshirë të gjitha këto aspekte dhe duke shmangur hapjen e gropave të shumta për secilin shërbim veç e veç.
Si do që të jetë, ju lutemi që ta finalizoni këtë çështje, përndryshe vera do të na gjejë në këtë katastrofë.