Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka kërkuar nga Ministri i Punëve të Brendshme ta ngarkojë me përgjegjësi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunin, për skandalet e fundit brenda këtij institucioni.
Së fundi në media u shfaqën disa skandale brenda Inspektoratit Policor të Kosovës, ku kryeshefi i saj, Hilmi Mehmeti, u zu duke tentuar të ndikojë në një konkurs për inspektor të policisë. Po ashtu videoja e publikuar në media ku dy zyrtarë të lartë të policisë shihen duke rrahur Menaxherin e Telekomit, Agron Mustafa në dhjetor të 2017’së.
“Ministri duhet të merr masa ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë duke e ngarkuar atë me përgjegjësinë kryesore për gjithë këtë gjendje në policinë e Kosovës. Drejtori i Përgjithshëm duhet të merrte masa ndaj vartësve të kapur në vepra penale e jo ti mbronte ata. E di qe këto probleme ministri i ka trashëguar por kjo nuk e justifikon atë të ndërmarrë masa të menjëhershme në të kundërtën edhe ai mund të ketë përgjegjësi për çfarë po ndodhë brenda Policisë së Kosovës. Në cilëndo situatë, ne kësaj pune do t’i shkojmë deri në fund”, ka thënë ai.