Diaspora shqiptare ka qenë dhe mbetet një shtyllë e fuqishme e zhvillimit ekonomik, social dhe kombëtar të vendit tonë. Kontributi i mërgatës në momente vendimtare të historisë sonë është i pamohueshëm. Megjithatë, për fat të keq, sot po shohim një diskurs publik ku diaspora përmendet shpesh, por mbështetet rrallëherë në mënyrë reale.
Ata që sot thirren në emër të diasporës, në të kaluarën nuk kanë ndërtuar asnjë politikë serioze për të. Përkundrazi, është shuar Ministria e Diasporës – një institucion i krijuar enkas për të adresuar problemet, nevojat dhe përfaqësimin e mërgatës sonë, kudo që jetojnë bashkatdhetarët tanë. Ky veprim nuk ishte thjesht administrativ, por një mesazh i qartë i mungesës së vullnetit politik për t’u marrë seriozisht me diasporën.
Diaspora nuk ka nevojë për premtime elektorale dhe deklarata boshe në kohë fushatash. Ajo ka nevojë për respekt institucional, përfaqësim dinjitoz dhe politika konkrete që lehtësojnë lidhjen e saj me atdheun – nga investimet dhe arsimi, te kultura, vota dhe shërbimet konsullore.
Si kandidat për deputet, angazhohem që zëri i diasporës të mos përdoret si mjet propagandistik, por të kthehet në prioritet real të politikëbërjes. Rikthimi i mekanizmave institucionalë për diasporën, ndërtimi i politikave afatgjata dhe përfshirja e saj në vendimmarrje janë domosdoshmëri për një shtet që respekton qytetarët e vet, kudo që ata jetojnë.
Diaspora meriton më shumë. Ajo meriton veprime, jo vetëm fjalë.
Selver Xhelili
Kandidat për deputet

