Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Selver Xhelili, me numrin 83, ka shpalosur angazhimin e tij për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe adresimin e kërkesave të tyre në nivel qendror.
Ai thekson se do të punojë për sigurimin e të drejtave të barabarta për qytetarët e Luginës që jetojnë në Kosovë, duke u fokusuar në pajisjen me dokumente, përkrahjen për banim, rritjen e kuotave për studentët e Luginës në universitetet publike dhe shtimin e bursave për ta.
Ai kërkon mbështetjen e qytetarëve të Luginës, duke premtuar se do të jetë zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës.
Statusi i plotë:
Si deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës, do të angazhohem me përkushtim për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të adresoj në nivel qendror të gjitha kërkesat e qytetarëve të Luginës që jetojnë tashmë në Gjilan, Anamoravë e në mbarë Kosovën. Do të punoj për të siguruar që ata e ato që jetojnë në Kosovë, të gëzojnë të gjitha të drejtat që u takojnë, ashtu siç i kanë mundësitë qytetarët e Kosovës, e veçmas për pajisjen me dokumente, përkrahjen për banim, shtimin e kuotës për studentët e Luginës në universitetet publike në Kosovë, e rritjen e bursave për ta. Do të insistoj që Qeveria e Kosovës të bëjë gjithçka të mundur për të siguruar avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës në Serbi, duke kontribuar në forcimin e unitetit dhe zgjerimin e të drejtave të tyre, duke luftuar çdo përçarje që tashmë është krijuar nga Qeveria Kurti, e duke i forcuar shqiptarët për kauzat e tyre të përbashkëta, jashtë interesave partiake. Çdo hap që do të ndërmarrim, do të jetë në drejtim të një të ardhmeje më të mirë dhe më të barabartë për shqiptarët e Bujanocit, Preshevës e Medvegjës në Republikën e Kosovës e Kosovën Lindore. Prandaj, kërkoj votat e qytetarëve të Luginës, sepse do të jem zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës.