Simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, nga e shtuna, janë vendosur në hyrje të objektit të ri të Komunës së Kllokotit.
Vetëm pas disa javësh, stafi i komunës së Kllokotit do të bartet nga objekti i vjetër, pikërisht në këtë objekt, me simbole shtetërore të Republikës së Kosovës, raporton KTV.
Megjithëkëtë, ende nuk është e qartë kush ka urdhëruar që të vendosen simbolet aty.
KTV-ja ka provuar të flasë me kryetarin e Komunës, Bozhidar Dejanoviq, mirëpo ai nuk ka qenë i gatshëm të deklarohet për këtë.
Shkurt përmes telefonit, zyrtarë në zyrën e tij kanë thënë se ata nuk e kanë marrë këtë vendim, porse nuk janë që simbolet të largohen.
Disa banorë serbë kanë thënë se simbolet shtetërore nuk janë pengesë e as provokim për ta, por kjo është bërë nga politikanët për interesa të veta.
“Është turp të them që është apo nuk është provokim. Nga ta di unë se çka është. Unë flas për vete, nuk më pengon aspak”, ka thënë një qytetar.
“Ligji ekziston dhe janë vendimet ligjore se çfarë ke të drejtë dhe çfarë jo. Nuk është provokim, nuk e di çfarë të them tjetër”, ka thënë një tjetër.
E, disa prej tyre nuk kanë dashur t’i komentojnë këto veprime, përderisa dikush nga ta thotë se ky është provokim i radhës për serbët.
“Nuk është vendim i duhur. Ky është provokim, i cili është bërë për të vënë në balancë durimin e serbëve”, ka thënë një tjetër qytetar i komunitetit serb.
Pro vendosjes janë shprehur banorët shqiptarë të kësaj komune, të cilët janë komunitet pakicë.
Nënkryetarja për komunitete, Selvije Rexhepi, ka thënë se në takime të mëhershme me kryetarin e kësaj komune, ai është pajtuar që në momentin e shpërnguljes në objektin e ri, do t’i vendosin simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës.
Në komunë kanë konfirmuar se në objektin e ri do të zhvendosen sapo KEDS-i t’i përfundojë punimet në instalimin e rrjetit elektrik.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Listës Serbe, që vendosjen e pllakës me simbole të Kosovës, e ka cilësuar provokim për serbët në Kosovë.
Kryetari aktual, Bozhidar Dejanoviq, i kishte fituar zgjedhjet si pjesë e Iniciativës Qytetare për Kllokotin, por pas fitores iu bashkua Listës Serbe.