Viti i ri nisi me një ultimatum të ri të Listës Serbe dërguar Prishtinës – nëse serbët nuk lejohen të votojnë në të gjitha komunitetet serbe në zgjedhjet që do të mbahen në pranverë, serbët do të vendosin reciprocitet, por me një precedent.
Mesazhe të ngjashme vijnë edhe nga Beogradi – “Albin Kurti të mos mendojë se do të mund t’i ndalojë serbët të votojnë në prill”.
Pasi Kosova nuk lejoi votimin e serbëve nga Kosova në referendumin e 16 prillit, përveç në zyrat ndërlidhëse, kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq kërcënoi se më 3 prill në të gjitha zonat me shumicë serbe në Kosovë do të votohet më 3 prill, kur edhe do të mbahen zgjedhje presidenciale në Serbi.
“Qysh tash po i themi Prishtinës, se më 3 prill do të mbahen zgjedhjet presidenciale të Serbisë kudo që ka serbë në Kosovë. Nëse nuk lejohemi, do të vendosim reciprocitet”, tha ministri i Qeverisë, Goran Rakiq.
Ky ministër dhe zëvendëskryeministër i Kosovës më pas i dha një ultimatum Prishtinës, nëse serbët nuk lejohen të votojnë në të gjitha zonat serbe në pranverë, serbët do të vendosin reciprocitet. Ai nuk shpjegoi se për çfarë reciprociteti e kishte saktësisht fjalën.
“Kërcënim jorealist”, e ka cilësuar për Kossev, Milica Andriq Rakiq nga Iniciativa e Re Sociale, deklaratën e ministrit serb të Qeverisë.
Ultimatumi i ri Prishtinës nga kryetari i Listës Serbe i vjen vetëm disa muaj pas atij të mëparshmit se serbët do të largohen nga institucionet e Kosovës nëse nuk diskutohet për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe deri në fund të vitit 2021.
Lista Serbe nuk e ka përmbushur këtë premtim dhe pikërisht këtë e thekson Andriq-Rakiq dhe thotë se ka pak mundësi që të realizohen “kërcënimet” e reja.
“Lista serbe ka pasur kërcënime të ngjashme në të kaluarën dhe nëse kërcënimi i fundit do të bëhej i vërtetë për daljen nga institucionet, për shkak të mosplotësimit të kushteve, ne nuk do ti kishim serbët në institucionet e Kosovës në zonat serbe në Kosovë tani, ose së paku Lista Serbe do të largohej nga Qeveria e Kosovës. Meqë kjo nuk ka ndodhur as kësaj radhe, as në të gjitha situatat e mëparshme kur Lista Serbe kërcënonte me masa të caktuara, dhe tani sinqerisht mendoj se është e vështirë që kjo të ndodhë”, tha Andriq-Rakiq.
Në pyetjen se çfarë masash mund të ndërmerren dhe në çfarë mënyre Lista Serbe mund ta bëjë këtë, Andriq-Rakiq tha: “E vetmja gjë që më vjen në mendje është bojkotimi i zgjedhjeve të Kosovës , ndonjë prej zgjedhjeve të ardhshme”.
Sipas saj, pas ndalesës për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, ka shumë mundësi që më të mos lejohet kurrfarë votimi i organizuar nga shteti serb në Kosovë, as zgjedhjet presidenciale që janë më 3 prill.
Kuvendi i Republikës së Kosovës të shtunën ka miratuar rezolutën kundër lejimit të organizimit të referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Pika e parë e saj thekson se Kuvendi shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Serbisë në Kosovë cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës. Në këtë seancë nuk morën pjesë deputetet e partisë demokratike të Kosovës.