Për t’i ikur taksës 100 përqind, tentimet e futjes së mallrave me origjinë serbe ilegalisht në Kosovë përmes veriut, nuk kanë qenë të pakta, transmeton Gazeta Metro.
Prej kur është vënë kjo masë mbrojtëse afër gjashtë muaj më parë, Dogana ka arritur t’i identifikojë mbi 230 raste të kontrabandës prej tyre 70 vetëm nga pjesa veriore.
Për dallim para vënies së kësaj takse kur Dogana e Kosovës ka regjistruar të hyra milionëshe të produkteve serbe në Kosovë, gjatë kësaj periudhe, zyrtarë të saj thonë se importi nga Serbia dhe Bosnja është nën minimalen e mundshme.
Sipas Stavilecit, brenda ditës, nga këto dy shtete hyjnë mallra në vlerë prej rreth 7 mijë deri në 8 mijë eurosh nga mbi një milion sa ishte para taksës 100 përqind.
Në anën tjetër, 6 maji ishte dita e fundit e ultimatumit që presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq i kishte dhënë qeverisë së Kosovës për ta hequr taksën.
Vuçiqi kishte deklaruar se nëse një gjë e tillë nuk ndodh, do të merren masa ndaj Kosovës.
Por, zëdhënësja e Qeverisë Donjeta Gashi, ka thënë se kjo teori e shtetit të Serbisë ka rënë në Samitin e Berlinit, duke mos dashur të flasë më tepër lidhur me këtë çështje, raporton Ktv.
Ndërsa, këshilltari i kryeministrit Haki Shatri, tha se Serbia nuk mund t’i japë Kosovës asnjë ultimatum.
Sidoqoftë. vënia e taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake u ka ndihmuar bizneseve kosovare që të kenë shitje më të madhe të produkteve të tyre.