Spanja është i vetmi shtet evropian i cili mund ta bllokojë Kosovën për t’u inkorporuar në institucionet e BE-së. Kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Popullore të Serbisë, njëherësh ministri për inovacion, Nenad Popoviq.
Ai ka deklaruar se Serbia ka një “kartë të artë” në duart e saj sa i përket qëndrimit të Madridit që Kosova të hyjë në institucione evropiane vetëm si pjesë e rajonit të Serbisë.
“Ne kemi një rezolutë 1244. Ne kemi përkrahjen e miqve tanë, Rusisë dhe Kinës të cilat kurrë nuk kanë qenë më të fortë. Ne po ashtu kemi pesë shtete në BE që nuk e kanë njohur pavarësinë dhe nuk janë dakord për vendimin e pavarësisë së Kosovës. Unë mendojë se qëndrimi i Serbisë është i mirë dhe vetëm duhet të jetë i mençur dhe i durueshëm”, deklaroi Popoviç.
Sipas tij, Serbia ka një hapësirë të madhe manovrimi, dhe është shumë e rëndësishme të fillohet një dialog i brendshëm.
“Mendoj se ne duhet të bëjmë gjysmën e këtij viti të shikojmë dhe të bëjmë zgjidhjen tonë për Kosovën. Pra, të jetë një kompromis dhe autonomi më të madhe se sa ishte. Kompromisi i shqiptarëve duhet të pasqyrohet në faktin që të pranojmë se ata nuk do të merrni atë që ata donin nga fillimi, pavarësinë”, u shpreh ai.
Ndryshe, Popoviq njihet si njëri prej politikanëve që kundërshton ashpër shtetësinë e Kosovës. Ai kohë më parë kishte thënë se Kosova po provon që përmes UNESCO-s ta rrëmbejë trashëgiminë kulturore serbe, sepse vetë kosovarët janë një popull që s’kanë të ardhme e nuk kanë as identitet.
“Hyrja e shtetit të rremë të Kosovës në UNESCO e bën Serbinë më të vlefshme dhe më të shenjtë, ngaqë ajo trashëgimi tregon vazhdimësinë e popullit serb që nga mesjeta”, kishte deklaruar ai