Opinionisti Emrush Shkodra ka ngritur sërish kritika të forta ndaj listave të deputetëve nga Gjilani, duke theksuar se riciklimi i të njëjtëve emra për dy dekada ka kufizuar seriozisht përfaqësimin e dinjitetshëm të qytetarëve.
Ai vlerëson se subjektet politike kanë pasur mundësi shumë më të mira për të sjellë figura profesionale, fytyra të reja dhe njerëz me kredibilitet, por kanë zgjedhur t’u ofrojnë votuesve po të njëjtat alternativa që prej vitesh nuk kanë arritur të fitojnë besimin e tyre.
Shkroi: Emrush Shkodra
- Opinionisti Emrush Shkodra ka ngritur sërish kritika të forta ndaj listave të deputetëve nga Gjilani, duke theksuar se riciklimi i të njëjtëve emra për dy dekada ka kufizuar seriozisht përfaqësimin e dinjitetshëm të qytetarëve.
- Ai vlerëson se subjektet politike kanë pasur mundësi shumë më të mira për të sjellë figura profesionale, fytyra të reja dhe njerëz me kredibilitet, por kanë zgjedhur t’u ofrojnë votuesve po të njëjtat alternativa që prej vitesh nuk kanë arritur të fitojnë besimin e tyre.
Sërish po kthehemi te listat e deputetëve dhe prania e tyre në to tash e dy dekada.
Shprehja “më trego me kënd rri të tregoj kush je” lidhet shumë me mënyrën si paraqiten emrat në listat zgjedhore dhe me idenë që subjektet politike duan të fitojnë me njerëzit që i vendosin aty.
Nëpër lista sheh deputetë që kanë humbur disa herë me radhë dhe nuk e kanë arritur me marrë kurrë besimin e qytetarëve.
Megjithatë, vazhdojnë t’u servohen votuesve si opsion, duke i vendosur qytetarët në situatën që edhe kur duan të votojnë një subjekt të caktuar, duhet të mbyllin sytë para emrave që nuk i duan, apo edhe të vendosin të votojnë tjetër subjekt politik.
Ka individë aq irritues nëpër këto lista, sa që në vend se partia të rritet, ajo rrezikon të tkurret.
Mungon dukshëm prania e profesionistëve, shoqërisë civile dhe fytyrave të reja që kanë arritur sukses brenda dhe jashtë vendit.
Praktikisht, nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë. Sikur qytetarët t’i kenë borxh partitë, çfarëdo emri që ua vendosin përpara, ata duhet ta votojnë.
Nuk ka asnjë logjikë që një aktivist të jetë në listë çdo herë që partia merr pjesë në zgjedhje.
Kjo qasje nuk ka sjellë sukses dhe nuk pritet të sjellë.
Përkundrazi, pritet të kthehet në bumerang.
Me disa përjashtime, edhe këtë herë Gjilani përfaqësohet shumë varfër në lista.
Janë fytyra që, përveç dëgjueshmërisë maksimale ndaj liderit, nuk do të mund të japin asnjë përfaqësim të denjë për interesin e qytetarëve të Anamoravës apo të shtyjnë përpara ndonjë projekt jetik për qytetarët e kësaj ane.
Kjo është dëshmuar tash e 15–20 vite.








