Qendra e Kujdesit Ditor – PEMA, në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka mbajtur takimin e parë të përbashkët/sesion informues, me temë “Integrimi i fëmijëve/të rinjve me aftësi të kufizuara në aktivitete kulturore dhe sportive”. Të pranishëm në takim ishin zyrtarë të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, drejtoresha e muzeut të Gjilanit, si dhe mësimdhënës të shkollave fillore nga komuna e Gjilanit. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi dhe informimi se si mund të pasurohen programet shkollore me aktivitete që mundësojnë përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në jetën kulturore.
PEMA, përmes Qendrave të Kujdesit Ditor, krahas shërbimeve direkte profesionale e psikosociale që ofron për fëmijët me aftësi të kufizuara, është munduar të zgjerojë programin e saj edhe në fusha të tjera si sport dhe aktivitete kulturore, çdoherë duke synuar që fëmijët me aftësi të kufizuara të kenë qasje në shërbime/aktivitete gjithëpërfshirëse. Përgjatë viteve të fundit, PEMA, ka arritur të përfshi në aktivetete kulturore e sportive fëmijët të cilët marrin shërbime në QENDRA TË KUJDESIT DITOR, falë bashkëpunimeve me profesionistë nga lëmitë e ndryshme.
Përmes këtij takimi, PEMA kishte synim të informonte më shumë mësimdhënësit e shkollave fillore për mundësitë e përfshirjes së fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara në aktivitete kulturore, si dhe t’i ftonte ata që të bashkëpunojnë edhe më shumë me Qendrën e Kujdesit Ditor – PEMA në këtë drejtim.
Drejtoresha e Muzeut të Gjilanit, znj. Gylishene Berisha, shprehu pakënaqësitë e saj lidhur me përkrahjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara nga institucionet përkatëse. Ajo u shpreh mirënjohëse për punën që bën Qendra e Kujdesit Ditor – PEMA me fëmijët me aftësi të kufizuara, duke kërkuar përkrahje më të madhe për qendrën, nga institucionet shtetërore.
Poashtu, ajo orfoi mundësinë që fëmijët me aftësi të kufizuara të vizitojnë muzeun e qytetit, si dhe shprehi gadishmërinë për zhvillimin e aktiviteteve për këta fëmijë në muze.
Përfaqësuesi i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Bashkim Nexhipi, poashtu u zotua që fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara do ta kenë përherë përkrahjen e drejtorisë për çfarëdo lloj iniciative që ndërmarrin.
Krejt në fund, mësimdhënësit e pranishëm u treguan të gatshëm për bashkëpunim, duke rekomanduar që të bëhet më shumë rreth vetëdijësimit të fëmijëve të tjerë e poashtu edhe të mësimdhënësve për gjithëpërfshirjen e fëmijëve/të rinjve me aftësi të kufizuara në aktivitete. Ata gjithashtu kërkuan përkrahjen e drejtorisë për ngritjen e kapaciteteve të stafit, dhe prezencë të psikologëve e logopedëve nëpër shkolla.