ALBAN HYSENI
Shkruan: Avni Rudaku
Në muajin tetor, kur edhe mbahen Zgjedhjet Lokale në Kosovë, Alban Hyseni i bën 35 vjet në moshë kalendarike, ndërsa si kryetar komune, përfundon mandatin katërvjeçar. Ka diplomuar në baçelor për juridik dhe masterin në drejtimin penal. Ka pasur përvojë si asistent, zyrtar për marrëdhënie me jashtë, zyrtar i cilësisë dhe sekretar i përgjithshëm në një kolegj privat universitar, por edhe në një kolegj tjetër si koordinator e pjesë e stafit akademik, e duke i regjistruar studimet e doktoraturës në vitin e dytë të mandatit si kryetar. Pavarësisht se studimet e doktoratës janë avancim akademik, në aspektin shkencor e menaxherial të kohës, nuk ka asnjë kuptim kur je aq shumë i angazhuar si kryetar komune, e paralelisht të fillosh studimet e doktoratës, sepse si udhëheqja e komunës, si doktorata, kërkojnë shumë kohë, përkushtim, vëmendje, fokus e kështu me radhë.
Një gjë e mirë është ta kesh kryetarin e komunës me nivelin më të lartë akademik dhe tjetër gjë të dëgjosh se kryetari dyjat po i bën paralelisht, e që lë shije të thartë për pamundësi për të ndarë kohën edhe për studime të doktoratës, edhe për menaxhim të një prej 7 komunave më të mëdha në nivel të Kosovës. Gjithashtu, Albani ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës dhe nuk mbahet në mend asgjë për të shtyrë ndonjë projekt madhor për Gjilanin, sikur të gjithë deputetët e tjerë të të gjitha partive politike pa dallim. Sëkëndejmi, Albani ka bagazh edukimi dhe me përvojë direkte në arsimin e lartë, në legjislativin kosovar e ekzekutivin komunal, të cilat do të duhej t’i kishin ndihmuar shumë në menaxhimin e komunës.
Në Vetëvendosje, kishte edhe pozitën e koordinatorit për fushën e sportit, bazuar edhe në përvojën e tij si basketbollist i pasionuar. Në aspektin formal akademik dhe përvojave të shumta, qëndron mirë. Në zgjedhjet komunale të tetorit 2025, mbetet kandidati më serioz në garën për vazhdimin e mandatit të dytë, pa ose në balotazh me Arbër Ismajlin, gjithashtu kandidat potencial në garën e ngushtë ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, ndërsa partitë e tjera do të kenë rol të rëndësishëm në balotazh të (pa)mundshëm dhe koalicion qeverisës lokal. Ka ende garë, gara bëhet vetëm ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, dhe Albani është ndryshore kryesore në zgjedhjet e ardhshme bashkë me Arbërin. Rezultati pasi ka qenë i ngushtë edhe në zgjedhjet e kaluara, nënkupton që do të ketë ndikime në sjelljen elektorale, edhe nga disa faktorë të tjerë: fushata, debatet, mobilizimi i strukturave partiake, mjetet financiare etj.
Përparësitë e Albanit
1. Në vitin e fundit të mandatit, ka nisje të disa projekteve kapitale, e sidomos Stanishorkën e veçoj më së shumti për të lënë gjurmë potenciale – ndonëse larg përfundimit ende; parkun Banja që ka transformuar krejtësisht lagjen në errësirë e pa jetë; Stacioni i ri i Autobusëve, rinovimi i Palestrës së Sporteve, Kult-Qendra në Dardania 1; asfaltimi i disa rrugëve rurale, parkingjet në rrugën prej Universitetit Publik “Kadri Zeka” e gjer te Xhamia e Madhe që i kanë kënaqur kryesisht pronarët e bizneseve lokale; infrastruktura lokale në Dheun e Bardhë, te Qendrat Tregtare, disa rinovime të infrastrukturës së brendshme shkollore, ambulancat lokale, gurthemeli i Shkollës së Mesme të Mjekësisë, objekti ende pa finalizim i Qendrës për Qëndrim Ditor për të Moshuarit, Bujtinë për Studentë e Kuzhinë Humanitare etj. Për të gjitha këto projekte, kam edhe shumë vërejtje, me ndonjë përjashtim, nuk janë kryer as në pak muaj nga zgjedhjet e reja lokale e nuk janë projekte që mund të kryhen shpejt, ose, p.sh., Stanishorka, do të duhej të niste në fillim të mandatit me një ritëm krejtësisht tjetër, apo nëse do të bëhej rrethrrotullimi i dytë, nuk ka kuptim të jenë dy rrethrrotullime aq afër me njëri-tjetrin; ose për asfaltimin e rrugës deri te Xhamia e Madhe, pa ujëmbledhës, ose një autoambulancë nuk mund të kalojë me shpejtësi, nga zënia me parkingje, ose ngushtimi i trotuarit etj., por megjithatë, janë investime të rëndësishme kapitale e infrastrukturore që duhen vlerësuar, sepse ato do të mbarohen pasi veç janë nisur, dhe kështu perceptohen edhe nga opinioni publik. Ose ta marrim shembullin e gurthemelit të Shkollës së Mesme të Mjekësisë në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, duke e ngushtuar e mbingarkuar parkun e spitalit, duke zënë hapësirat për pacientët që kanë nevojë për park sa më të pastër e sa më të gjerë, ndonëse për praktikën e nxënësve të mjekësisë që i kanë afër repartet e spitalit, është ide shumë e mirë. Ma thoni qytetarë të dashur, cili arkitekt në botë, cili njeri i zakonshëm edhe pa njohuri elementare në planifikim urban, do ta lejonte zënien e frymës për parkun e Spitalit të Përgjithshëm, të vendoseshin edhe dy objekte në oborr me katër institucione (bashkë me spitalin e morgun) pa hapësirë të mjaftueshme, në vend se të mirëmbahej oborri i spitalit, e të mbetej me errësirë përskaj rrugës kryesore e të hiqeshin ato rrethoja e të merrte frymë lirshëm qyteti në hyrje nga Ferizaj?! Është shëmti e komunikimit të objektve në planin arkitektonik, ekologjik e estetik, sidoqoftë, në nivel makro, janë projekte të rëndësishme, pavarësisht se stërzgjaten, me vërejtje arkitektonike etj.
2. Në debatet e ardhshme politike, gjasat i ka të larta, që Albani ta fitojë debatin me Arbër Ismajlin, kurse gjasat për ta humbur debatin, i ka sipas supozimit tim, veç me Riad Rashitin e PDK-së, i cili mbetet një debatues i fortë, opozitar me përvojë të gjatë, ish-drejtor me përvojë, njohës i qeverisjes lokale, shpalon dokumente, di t’i referohet burimeve etj., por Riadi, gjasat për të fituar Gjilanin, i ka zero dhe ma riktheni këtë shkrim për mospajtim kur të dalin rezultatet zyrtare! Albani e ka një oratori të fortë, rrjedhshmëri e shpejtësi në të folur, që sipas studimeve të psikologjisë sociale, individët me shpejtësi në të folur gjithmonë krijojnë një përshtypje më pozitive për inteligjencë e kompetencë më të lartë, pavarësisht realitetit objektiv ose përmbajtjes së asaj që kumtohet tek audienca. Pavarësisht se sipas gjetjeve shkencore, tempoja mesatare e të folurit është më efikase dhe efektive, Albani krijon përshtypjen pozitive te masat e gjera, ndonëse nuk do ta bindë lehtë opinionin publik sikur në mandatin e parë kur e mundi Lutfi Hazirin, sepse ka disa premtime të huqura, veçmas për Stadiumin e qytetit dhe besimi i publikut është lëkundur, ngase ekziston Albani si figurë e zë, çfarë ka thënë më herët dhe publiku e sjellë në mendje mungesën e realizimit të zotimit të mëparshëm. Sidoqoftë, fluenca, si aftësi e të folurit pa ndalesa të shpeshta, pa përsëritje ose kërkim fjalësh, me rrjedhje komunikimi pa “ëë”, “mm”, “aa”, i jep përparësi Albanit, ndonëse jo si para 4 vjetësh, pas konsumimit në pushtet, mungesës së konsistencës, teknologjisë që na ruan të kaluarën etj.
3. E ka përparësinë që partia prej nga vjen, ka dyfish fuqi politike elektorale se partia e dytë dhe e tretë, dhe zakonisht votuesit vrapojnë edhe pas fituesit potencial.
4. Në shumicën e studimeve të shkencave politike, kandidati që ka pushtetin aktual, i ka gjasat më të mira për ta fituar mandatin e dytë, për shkak se ka më shumë financa nga partia e vet parlamentare me buxhet më të lartë, më shumë resurse komunale e publike, më shumë votues klientelistë etj., ndonëse hipoteza e konfirmuar në shumë shtete, nuk konfirmohet në të tjera, ose e konfirmuar në disa kryetarë të caktuar, por jo në ca të tjerë, ose varet nga qeverisja etj.
5. Sipas GAP-it, në projektin “Letërnjoftimi i Komunave”, nga 109 premtime në total, Albani i ka 64 premtime të përfunduara, 5 gjysmë të përmbushura, 18 të filluara dhe 22 nuk kanë filluar (me përditësim të informacioneve më 30 qershor 2024), ndërsa paralajmërimi se do të përditësohen në qershor 2025, nuk ka ndodhur nga GAP, që do të thotë se edhe disa premtime të tjera deri tash në korrik 2025, janë përfunduar ose afër përfundimit. Mirëpo, në letërnjoftimin e komunave nga GAP, nuk janë përfshirë premtimet brenda mandatit, gjatë qeverisjes, por vetëm në fushatë elektorale. Sidoqoftë, matematikisht në premtime, Albani nuk qëndron dobët.
Mangësitë e Albanit
1. Për 4 vjet mandat, Albani nuk e la një projekt të finalizuar kapital që do të linte gjurmë të mëdha në komunë dhe që do të mbahej mend për transformim radikal urban të Gjilanit. Zhgënjim nga qytetarët, për aq shumë projekte të filluara vetëm në vitin e fundit të mandatit dhe asnjë projekt madhor i përfunduar ende dhe nuk ka shkaktuar ende fenomenin e njohur të habisë “wow”, ose për të thënë: “a është mundur?!”
2. Stadiumi i qytetit të Gjilanit, me sagën e zvarritjes aq gjatë është përsëritur më së shumti si meme, duke premtuar vetë Albani se projekti do të kryhej që në mandatin e tij të parë, dhe madje vetë thoshte se, qeverisja e tij, performanca lokale do të matej kryesisht me suksesin në kryerjen e stadiumit. Madje, habitem se si Albani poston ende foto për punimet që po vazhdojnë, kur fotografia e vetme që duhet postuar për stadiumin është kur të kryhet krejt në detaje dhe të funksionalizohet.
Stadiumi është bërë bozë – thuhet kudo. Për stadium, konsideroj se përgjegjësinë e kanë dy parti politike: LDK-ja dhe LVV-ja. Asnjëra parti nuk mund të flet asgjë për stadiumin, por vetëm duhet kërkuar falje publike dhe kokën e ulur para sportdashësve e tifozëve, sepse bëhet fjalë për një projekt nga koha e Lufti Hazirit e deri tek Alban Hyseni. “Me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit mes Komunës së Gjilanit dhe MKRS-së në vitin 2016, kishte nisur edhe zbatimi i projektit për renovimin e stadiumit të qytetit të Gjilanit. Për realizimin e këtij projekti, Komuna e Gjilanit ka qenë përgjegjëse për hartimin e projektit ideor, kryesor dhe zbatues, si dhe zhvillimin e procedurave të prokurimit për kontraktimin e kompanisë për ekzekutimin e punëve për renovimin e stadiumit, ndërsa MKRS-ja ka qenë e obliguar të sigurojë mjetet financiare. Për realizimin e projektit për renovimin e këtij stadiumi janë nënshkruar plot tre memorandume ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe MKRS-së. Punimet janë ndërprerë zyrtarisht në gusht të vitit 2022, atëherë kur Komuna e Gjilanit kishte shkëputur kontratën me kompaninë e kontraktuar. Komuna e Gjilanit në fund të dhjetorit të vitit 2016, kishte kontraktuar kompaninë për hartimin e projektit ideor dhe kryesor për renovimin e stadiumit të qytetit sipas detyrës projektuese të dorëzuar nga komuna, por nuk përmbante kategorizim të stadiumit fare edhe pse referencë kishte Udhëzues të UEFA-së për infrastrukturë dhe cilësi në stadiume.
Mirëpo sipas detyrës projektuese parashihet që stadiumi të ketë deri në 8,000 ulëse që sipas udhëzuesit të UEFA-së klasifikohet si stadium i kategorisë së dytë. Pas diskutimeve mes Komunës së Gjilanit dhe MKRS e cila kishte rezultuar me amandamentim të kontratës, stadiumi i qytetit në Gjilan me detyrë projektuese ishte klasifikuar në kategorinë e katërt, pasi që udhëzuesi i UEFA-s e parasheh që stadiumet me mbi 8,000 ulëse kategorizohen në kategorinë katër (duke plotësuar edhe kriteret e tjera të nevojshme). Po ashtu edhe në raportin e hartuar nga komuna në muajin korrik të vitit 2022 për konstatimin e gjendjes së punimeve në stadium theksohet se ‘’projekti ideor dhe kryesor për renovimin e Stadiumit të Gjilanit kishte projektuar intervenime fizike ashtu që në fund të procesit, stadiumi i Gjilanit të certifikohet për kategori të dytë. Në fund të tetorit të vitit 2017 komuna kishte lidhur kontratën për realizimin e punimeve ndërtimore me një afat prej 36 muaj. Punimet për renovim të stadiumit për kategori të dytë kishin filluar në nëntor të vitit 2017.
Dy vite më pas (dhjetor 2019), MKRS-ja kishte kërkuar që projekti kryesor t’i nënshtrohet aprovimit nga UEFA në mënyrë që i njëjti të marrë aprovimin nga ky i fundit për zhvillim të ndeshjeve ndërkombëtare, mirëpo projekti nuk ishte dorëzuar në UEFA nga komuna. Punimet për renovimin e stadiumit të qytetit kishin vazhduar për 34 muaj (deri në shtator të vitit 2020) me një ritëm të ngadaltë dhe ndërprerje të shumta, fillimisht për shkak të gjendjes pandemike, pastaj për shkak të problemeve me cilësinë e projektit si dhe çështjeve pronësore. Në shtator të vitit 2020 apo dy muaj para se të skadonte kontrata, komuna me rekomandim të MKRS-së kishte bërë amandamentim substancial të kontratës duke ndryshuar pozicionet në paramasë për të akomoduar realizimin e punimeve për stadium të kategorisë së katërt. Me këtë rast nuk ishin marrë në konsideratë hapat e nevojshëm për ri-projektim për renovim të stadiumit, apo edhe tenderim të ri për realizimin e projektit për stadiumin e kategorisë së katërt meqenëse kjo implikon ndryshime substanciale në projekt. Mungesa e riprojektimit për renovimin e stadiumit të qytetit të Gjilanit kishte bërë që komuna të hasë në vështirësi dhe dinamikë të zvogëluar të punimeve si dhe shtyrje të afatit të realizimit të punimeve përmes amandamentimit kohor për dy vite. Kjo kishte rezultuar me ndryshime të theksuara të disa pozicioneve si dhe ndërprerje të kontratës dhe rikthim në pikën zero të procesit por që pjesët që janë paguar janë ndërtuar. Tani MKRS-ja ka marrë pronësinë e plotë mbi këtë projekt dhe ka filluar një proces të ri që nga hartimi i projektit ideor dhe kryesorë deri te realizimi përfundimtar i tij. Megjithatë, për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme në projekt, ky stadium rrezikon që mos të licencohet për kategorinë e katër. Komuna gjithashtu nuk e kishte adresuar me kohë çështjen lidhur me shpronësimin e disa pronave rreth stadiumit të cilat kanë rol kyç në funksionalizimin e stadiumit. Përveç kësaj, Komuna nuk i ka dhënë ende epilog procesit të zgjidhjes të hapësirave komunale që janë në shfrytëzim nga Drejtoria e Arsimit dhe që bien ndesh me projektin e Stadiumit të Qytetit. Komuna nuk e kishte parë të arsyeshme të ri-aplikonte për leje. Tre nga operatorët kanë rezultuar me oferta me vlerë më të ulët se sa oferta fituese pas amandamentimit të kontratës. Komuna gjithashtu e kishte caktuar zyrtarin e njëjtë i cili kishte marrë pjesë edhe në procesin e vlerësimit të tenderit edhe në pozitën e menaxherit të kontratës. Moskoordinimi ka rezultuar që projekti i realizuar për ndërtimin e sheshit të ndërhyjë në pjesën e projektit për renovimin e stadiumit e cila parasheh hyrjen për vetura në stadium, ku komuna do të detyrohet të demolojë një pjesë të sheshit për të cilën ishin investuar mjete financiare.” (ZKA, “Raporti i Auditimit të Performancës – Renovimi dhe rikonfigurimi i Stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”, Prishtinë, 2023, në: https://zka-rks.org/cms/ReportFiles/2023_a0d72693-2a1e-4785-be59-49f7b59f4c57.pdf)
3. Zhgënjim tjetër me Albanin, që ndonëse e kishte partinë e vet me mbi 50 për qind në nivel qendror, nuk bëri më shumë presion që Autostrada e Gjilanit të përfundonte, ndërsa ajo është shumë larg finalizimit edhe sot, si dhe shumë aksidente tragjike në rrugën ekzistuese Gjilan-Prishtinë, shumë të vjella që shkaktohen nga ajo rrugë me aq shumë kthesa monotone, vazhdimisht e shtojnë pezmin ndaj LVV-së, Albin Kurtit, Albanit e kujtdo që ka pak e shumë përgjegjësi e pushtet. Zhgënjimi me mungesën e finalizimit të hyrje-daljeve të Gjilanit, veçanërisht hyrje-daljet Prishtinë-Gjilan, duke dëmtuar rëndë bizneset lokale, pavarësisht se një pjesë edhe shkon me Novobërdën, dhe pavarësisht se disa investime kapitale si këto më lart, janë përgjegjësi e nivelit qendror. Veç pluhuri sa i ka dëmtuar bizneset aty, mjafton. Veç pluhuri sa i ka detyruar shoferët të pastrojnë veturat e tyre më shpesh; pluhuri për shtëpitë, oborret, restorantet, pompat e benzinës etj., i ka zhgënjyer qytetarët. Edhe rruga magjistrale Gjilan-Bujanoc, deri në “bunarin e Përlepnicës”, i ka detyruar qytetarët e bizneset të protestonin, se edhe sot do të ishte e papërfunduar. Pavarësisht projekteve të nivelit qendror, qytetarëve nuk iu intereson ajo, sepse ka të bëjë me partinë e njëjtë, në Gjilan e për Gjilan. Mllefi drejtohet nga niveli qendror edhe në atë lokal, e veçmas kur partia është e njëjtë.
4. Nepotizmi i hapur e militantizmi partiak në arsimin parauniversitar në Gjilan, e veçmas shpërthimi i skandalit me kunata me drejtorin e arsimit në emisionin e Jeta Xharrës, është video shumë virale kudo dhe kurdo. Ajo video do të kthehet sërish në fushatë. Gjithashtu, konkurse publike, anulime e rishpallje, duke humbur besimin e publikut të gjerë për meritokraci, transparencë e përgjegjshmëri etike e ligjore. Edhe në ndërmarrjen publike të re, kam parë të angazhuar që më herët kanë qenë të lidhur me Vetëvendosjen.
5. Ekip të dobët në Zyrën e Kryetarit të Komunës, pa përvojë, pa profesionalizëm të dëshmuar. Jo vetëm Kryetari i Gjilanit, por shumica e kryetarëve të komunave në Kosovë, ministra etj., kujtuakuan gabimisht se, duhet të marrësh këshilltar, pjesë kabineti, dikë veç që është në studime baçelor, ose veç sa i ka përfunduar, ose edhe pa ndonjë kualifikim profesional, ose në moshë aq të re, pa përvojë në menaxhim e qeverisje. Çfarë mund të këshillohet një kryetar me dikë që është inferior para kryetarit?! Madje, ekziston një logjikë e mbrapshtë e liderëve tanë: e marrin ekipin përreth vetes më inferior, në mënyrë që të mos sfidohet, t’i servilosen, t’ia bëjnë qejfin etj. Nuk na tregon bota e zhvilluar, se ky është shembull që duhet ndjekur. Natyrisht është edhe një gabim trashanik i shtetit e komunave tona, që kujtuakan se ekspertin, konsulentin, mund ta angazhojnë me pagë qesharake, krahasuar me angazhimin e tyre në sektor privat. Duhet ndërruar krejt qasja. Edhe me nga dy mijë euro duhen të paguhen tre këshilltarë me përvojë për një kryetar komune, duhet ndërruar ligjet, koeficientët, kategoritë etj., në mënyrë që të ketë paga dinjitoze për joshje të ekspertëve, konsulentëve e profesionistëve të dëshmuar, për t’i pasur afër vetes. Ka qenë edhe një sjellje e habitshme, Albani e kishte larguar shefen e kabinetit, ose e kishte shkarkuar drejtorin e një drejtorie, pa treguar arsyet. Madje, të njëjtën shefe kabineti pa arsyetim, veç kur e kam parë drejtoreshë drejtorie komunale. Duhet pasur kujdes ndaj njerëzve që angazhohen publikisht dhe për transparencë ndaj publikut.
6. Viktimizimi për bllokim nga opozita, si një paaftësi për negociata politike, kur nuk e ke shumicën në Kuvendin Komunal. Viktimizimi nganjëherë edhe shitet te publiku për shfajësim në dështim, por Albanit, ligjërimi publik se është bllokuar nga opozita, mund t’i vlejë për një pjesë të elektoratit, por edhe jo edhe për një pjesë të madhe të tij. Tek e fundit, kudo në botë, opozita bën presion, kalkulon, që ti të dështosh, por është zhdërvjelltësia jote si kryetar, të gjesh mënyra e forma të negociatave politike, për të çuar përpara projektet dhe vizionin tënd. Ose p.sh., a ke thënë se opozita të ka sabotuar në prokurim për zvarritje në finalizimin e Stadiumit të qytetit, pse atëherë tash është zhbllokuar në fund të mandatit?! A nuk është e njëjta opozitë si në fillim, si në fund të mandatit, madje së fundi, me fuqi më të madhe të numrave pas prishjes së koalicionit të LVV-së me PDK-në?! Nuk ka arsyetim për viktimizime të tilla politike për dështime të realizimit të projekteve sipas planifikimit. As viktimizim me procedurat e prokurimit, sepse procedurat e prokurimit vlejnë si për Agim Aliun në Ferizaj, si për Alban Hysenin në Gjilan, por tipi me nënkalimet, stacion autobusi, transport urban etj., fluturoi lart në mbështetje, edhe përtej Ferizajt.
7. Edhe projektet e nisura e të mëdha, disa të sapofilluara, disa në gjysmë, e pak krejt afër deri në tetor, gjasat për të përfunduar brenda mandatit, janë minimale. Madje, ka zhgënjim se si në vitin e fundit të mandatit, siç ka kritikuar Vetëvendosje vazhdimisht, ka filluar të punojë, e jo për çdo ditë të mandatit.
8. Albani e ka një kompleks psikologjik-politik, që do ta quaja: “Kompleksi i Lutës”, ose “Kompleksi i ndërprerësit të trashëgimisë”, si një fenomen psikologjik që ndodh kur lideri (Albani), në një pozicion të fuqishëm si një kryetar i komunës që e çoi nga komuna në Kuvend të Kosovës – një ish-kryetar që perceptohej shumë i fuqishëm edhe në nivel republikan (unë kam shumë kritika për të, sepse për kohë aq të gjatë në pushtet, do të duhej të arrinte shumë projekte të mëdha për Gjilanin dhe në përputhje me shkallën e kohëzgjatjen e pushtetit të tij, ka bërë pak për komunën!), përjeton një ndjenjë të thellë të pasigurisë dhe frikës së të qenit i harruar ose i krahasuar vazhdimisht me një figurë të mëparshme, të perceptuar të suksesshme. Kjo pasiguri shpesh lind nga ndjenja e nevojës për të krijuar një identitet të ri dhe të dallueshëm, për të qenë i paharrueshëm dhe për të lënë një shenjë të qëndrueshme në historinë e qytetit, duke ndikuar kështu në mënyrën e të vepruarit e qeverisjes së tij. Ky kompleks shpesh shoqërohet me një ndjenjë të thellë pasioni për të tejkaluar dhe “rrëzuar” trashëgiminë e paraardhësve të tij (në këtë rast, Lutës). Individët që përjetojnë këtë kompleks janë të prirur të ndërmarrin veprime të paarsyeshme ose të nxituara, siç është krijimi i projekteve të reja, për të siguruar që emri i tyre të mbetet i pashlyer dhe për të shmangur krahasimin gjithmonë me të kaluarën. Në një nivel më të thellë, ky kompleks shpesh ndodh për shkak të frikës së dështimit dhe të mendimit se çdo hap që ndërmerr për të ruajtur ose respektuar trashëgiminë e të tjerëve, mund të minojë kredibilitetin dhe vlerën e vet si kryetar aktual. Kjo mund të çojë në ndërmarrjen e veprimeve që duket se janë për qytetin apo shoqërinë, por në fakt janë motivuar kryesisht nga nevoja për vetëpërshtatje dhe afirmim personal. E ku e bazoj unë “Kompleksin e Lutës” tek Albani?! Në projektin e prezantuar digjital, “Bulevardi i qytetit”. Në vend se ta kryente Albani krejt sheshin ekzistues, duke e vazhduar aty ku e ka lënë Luta, si ish-zvarritës i njohur i projekteve dhe i ndëshkuar nga qytetarët në zgjedhjet e kaluara, Albani e prezantoi një shesh të ri, pa e kryer sheshin ekzistues, po ashtu të ri, dhe madje duke i ikur termit “shesh” të Lutës, e duke e përdorur termin francez të zbatuar si sinonim të sheshit në Shqipëri, bulevard, ndonëse bulevardi e ka pasur kuptimin pak më ndryshe. Sheshi i ri ekzistues, nuk është shesh i Lutës, është shesh i qytetarëve të Gjilanit. Sidoqoftë, Albani nga ky kompleks, se Luta mbeti në historinë e qytetit me një shesh – ndonëse me shumë defekte estetike e arkitekturore, e vonesa, hajde ta bëj edhe unë një bulevard-shesh të ri, e të thirret “Bulevardi i Albanit”. O i nderuar, logjika e komunës e shtetit është punë vazhdimësie institucionale, dhe korrigjime ku është gabuar. Ja një shembull: Sheshi ekzistues ka struktura të mbivendosura, gjej kompromis me opozitën në Kuvend, rrafshoje, e bëje të sheshtë, sepse në gjuhën shqipe dhe kudo në botë, shesh, i bie diçka e rrafshët, e jo siç është bërë me struktura të mbivendosura në shesh, që pengojnë ecjen e lirshëm të këmbësorëve. Hiqi strukturat e mbivendosura, rrafshoji krejt! Hiqi lodrat në mes të sheshit, nuk ka vullnet njeri të freskohet në mbrëmje, teksa të sillen vërdall vetura-lodra për fëmijë e lloj-lloj pengese tjetër fizike e mobile, si këmbësor në shesh. Tjetër: vazhdoje sheshin deri te mishtorja “Malësia”, sepse në fund të sheshit ekzistues, andej kah pjesa e Zabelit të Sahit Agës, kanë shkuar dëm qindra e mijëra euro, nga projekti i kockave përreth lumit; lumi ende kundërmon; bari ka dalë gjithandej dhe “shëtitorja e Qemajlit” është demoluar në tërësi, një projekt që dikush duhet të mbajë përgjegjësi për projektin e shkuar dëm, pa mirëmbajtje sistematike. Pra, kritika për Albanin shkon në drejtim të zbutjes së “Kompleksit të Lutës” dhe përfundimit të sheshit ekzistues, rinovime e zgjatime. Nëse më pyesni a kemi nevojë për bulevardin e ri?! O të nderuar, edhe 10 sheshe, ka nevojë, por qyteti është mbingarkuar, zgjeruar, me dendësi të popullatës dhe nuk ka frymëmarrje të lirë. Pak prona të lira komunale e publike. Kudo në botë, qyteti i ri, ikën nga qyteti i vjetër.
9. Se si janë trajtuar qentë endacakë nga qeverisja lokale e Albanit, janë të nënpritshme. Prania e qenve në hapësirë publike, krijon përshtypjen e parë të të huajve, por edhe vendasve. Gjilani ka edhe më shumë qenë endacakë në fund të mandatit të Albanit. Kudo, kurdo. Më së shumti në oborre shkollash fillore e pranë kopshteve e çerdheve. Në parqe. Pranë qebaptoreve, marketeve.
Prapa qendrave tregtare, pranë kontejnerëve të mbeturinave. Në rrethrrotullimin tek objekti i Zyrës së Kryetarit të Komunës, Albanit. Te semaforët. Në shesh. Ditën, natën, në dritë, në errësirë. Në oborre të spitaleve e ambulancave, në hyrje tek Emergjenca. Shoku im gjatë verës, e bleu trotinetin. E urren kolonën. I vërsulen qentë endacakë me trotinet duke u kthyer në shtëpi dhe i ka humbur vullneti për trotinet. Ka qenë endacakë në qendër e periferi. Fëmijët e të rriturit janë të traumatizuar nga ta. Prindërit i çojnë fëmijët me vetura në kopsht e shkolla fillore (jo veç për arsye të qenve, mentaliteti, mungesa e transportit publik, edukimi i dobët që nuk e dinë se fëmijët mësojnë më shumë duke ecur në këmbë sesa me vetura e drejt në trotuar të shkollave, frika e rreziku nga shoferë të papërgjegjshëm etj.). Disa këmbësorë, shohin qenë endacakë dhe detyrohen të marrin taksi për t’i evituar qentë. Disa duan të ecin e vrapojnë herët në mëngjes, por frikësohen nga qentë. Shkojnë e mbyllen në fitnes edhe verës, e lëre më dimrit. Disa që zgjohen herët në mëngjes për punë, marrin petarde për t’i frikësuar qentë. Disa nëna nuk i çojnë fëmijët në park, sepse ka shumë qenë. Disa kthehen herët në shtëpi, sepse thonë, dalin qentë e na tmerrojnë. Disa që i qesin jashtë shportat e mbeturinave, sepse të nesërmen, vjen transporti i Eco-Higjienës, janë në hall me qentë që hallakatin ushqim në shporta dhe e shpërndajnë bërllokun në rrugë, e duhet dalë vetë për t’i mbledhur sërish mbeturinat e hedhur në shportë. Disa zgjohen nga zhurma e qenve pas mesnate, sepse një qen i ri ka ardhur në territorin e huaj, e bëhet zhurmë e madhe, sepse e ndjekin jabanxhiun e shtohen lehjet e kacafytjet nê mes tyre. Disa nuk zgjohen me këndimin e gjelit, as me ezanin e hoxhës, por me lehjet e qenve endacakë. Disa janë sulmuar nga qentë, por shumica janë traumatizuar.
Qentë frikësojnë edhe shoferët, iu vërsulen makinave dhe duhet devijuar shiritin rrugor. Një kryetar komune që nuk zgjidh problemin e qenve endacakë, qoftë në bashkëpunim ndërkufitar me Luginën e Preshevës e Kumanovën, qoftë me bashkëpunim ndërkomunal me Novobërdën, Kamenicën, Vitinë, Ranillugun e Parteshin, a besoni se do të ketë nevojë për dëshmi të reja për ta treguar mungesën e profesionalizmit, menaxhimit, qeverisjes e kreativitetit?! Nuk ka nevojë shumë për argumente shtesë, por do të vazhdojmë tutje.
10. Mangësia në zgjedhjet lokale për Albanin do të jetë edhe hyrja në garën për mandatin e dytë, me mungesë uniteti politik brenda subjektit të tij politik. Në krejt qytetin, në biseda të lira, thuhet: Albani nuk e ka mbështetjen e plotë të stukturave. Albani nuk i ka “Kurteshtë”, duke aluduar në mospajtimet sistematike të Albanit me një figurë emblematike të Gjilanit, pavarësisht konsumimit politik ndër vite, siç është Ismajl Kurteshi. Pra, Albani hyn në këto zgjedhje, me më pak energji motivuese e mobilizuese të strukturave të Qendrës së LVV-së në Gjilan, me më pak entuziazëm, me pakënaqësi të zakonshme të anëtarësisë e militantëve etj., krahasuar me “frymën totale pro-LVV” të zgjedhjeve të mëhershme parlamentare e komunale.
11. Deri tash, në të gjitha komunat e pakta që i ka fituar LVV-ja në nivel të Kosovës, kryetarët e komunave nga kjo parti, nuk e kanë vazhduar mandatin e dytë. Shembulli i veçantë nga një komunë tjetër edhe më e madhe se Gjilani, është Mytaher Haskuka në Prizren. Shpendi si kundërargument, nuk mund të merret, sepse nuk po elaboroj disa veçanti atje.
12. Sipas raportit vjetor për Komunën e Gjilanit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, në vitin 2021, qeverisja e Alban Hysenit, kishte këto mangësi në fillim të qeverisjes: “Komuna nuk kishte regjistruar pasurinë jokapitale në sistemin e-pasuria; gjatë procesit të auditimit kemi vërejtur se aneksi (regjistri) i detyrimeve kontingjente i cili ishte bashkangjitur PFV-ve nuk ishte i saktë për shkak të dyfishimit të vlerave dhe si rezultat ka ndikuar që detyrimet kontingjente të prezantuara në nenin 18 në Raportin Vjetor Financiar për vitin 2021, të jenë të mbivlerësuara, për shkak se katër padi të bëra ndaj komunës në vlerë totale prej 301,299€, ishin të regjistruar nga dy herë në regjistrat e detyrimeve kontingjente; Komuna kishte bërë keqklasifikime të shpenzimeve nëpër kategori ekonomike në vlerë 330,194€, ku nga kategori investimet kapitale kishte paguar për mirëmbajtjen teknike të objekteve komunale si dhe mirëmbajtjen verore të rrugëve në vlerë 181,821€, të cilat sipas udhëzimit konsiderohen mallra dhe shërbime, ndërsa vlera prej 118,693€, ishte paguar nga thesari sipas vendimit përmbarimor për shpronësimin e tokave nga kategoria mallra dhe shërbime dhe komunali, si dhe 29,680€, nga kategoria subvencionet për shpronësimin e tokave; Komuna kishte lidhur kontratë në vlerë 871,173€, për projektin ‘Ndërtimi i tregut të gjelbër në Komunën e Gjilanit’, projekt ky është dashur të kryhej brenda 90 ditëve, e nuk ishte kryer; Komuna kishte lidhur kontratë publike kornizë me çmim për njësi për ‘Rregullimin dhe hapja e rrugëve të rendit tretë, pastrimi i lumenjve dhe largimi i deponive të egra’ në vlerë 240,000€, por kishte bërë tejkalim të kontratës për 72,000€; në emër të manifestimit “Flaka e Janarit 2021”, Kryetari i Komunës me vendim, kishte subvencionuar OJQ-në pa bërë thirrje publike siç kërkohet me rregullore, me arsyetim për shkak të gjendjes pandemike; te kontrata publike kornizë ‘Pastrimi i objekteve shkollore në Komunën e Gjilanit’, te pagesa në vlerë 37,985€, ishte përfshirë edhe pastrimi i 12 shkollave të cilat nuk ishin të parapara në kontratën kornizë; në vitin 2021 ishin angazhuar 103 persona me marrëveshje për shërbime të veçanta dhe nuk ishte zhvilluar procedura e prokurimit publik për angazhimin e tyre; ishte dukuri mjaft e shprehur rasti kur situacioni i ofruar nga operatori ekonomik për punën e kryer ishte shumëfish më i lart se sa urdhërblerja, zotimi dhe fatura; komuna në 13 raste, obligimet financiare ndaj shpronësimeve në vlerë 4,373,191€, nuk i kishte paguar edhe pse afati me vendime përfundimtare ishte brenda 24 muajve.” (ZKA, Prishtinë, 2022, https://zka-rks.org/cms/uploads/2022/05/RaportiAuditimit_K_GL_2021_Shqip.pdf)
ZKA për vitin 2022, ka gjetur për qeverisjen lokale të Albanit, këto parregullsi: “Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) gjatë vitit 2022, ishte furnizuar me inventar zyrtar, tavolina pune dhe ormana… Gjatë ekzaminimit fizik, inventari nuk ishte gjetur. Nga testimi ka rezultuar se pasuria jokapitale nën 1,000€, për vitin 2022, nuk ishte regjistruar në sistemin e-pasurisë apo në ndonjë regjistër të agreguar sipas kategorive të klasifikuara në bazë të planit kontabël.
Komuna kishte bërë keqklasifikime të shpenzimeve, ku nga kategoria ekonomike investime kapitale kishte paguar 605,692€, e për nga natyra i takojnë mallrave dhe shërbimeve. Pagesa e faturës në vlerë prej 5,480€, ishte bërë për shërbimet e zërimit në llogarinë e operatorit ekonomik nga kodi ekonomik shërbime teknike me vendim të Kryetarit të Komunës. Për pagesën e bërë, nuk ishte gjetur kontratë e nënshkruar nga zyrtari përgjegjës i prokurimit dhe raporti i pranimit. Kryetari i Komunës kishte lidhur marrëveshje bashkëpunimi me kolegjin UBT për realizimin e projekteve ‘Studimi i fizibilitetit për zonën ekonomike dhe projekti ideor për dizajnimin e qendrës së qytetit’. Kosto totale e projektit për zonën ekonomike ishte 20,000€, ku nga kjo vlerë, UBT do ta mbulonte me 6,000€, ndërsa komuna me 14,000€, kurse kosto 4,200€, e mbuluar nga komuna. I gjithë ky proces ishte bërë pa zbatuar ligjin dhe procedurat e prokurimit publik. Zyra e prokurimit kishte lidhur dy kontrata për pastrimin e objekteve shkollore, deri në zgjidhjen çështjes së pastrimit të objekteve, duke përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Ndonëse kishte zvogëlim të numrit të angazhuarve nga viti i kaluar (103), megjithatë, në pesë mostra të testuara, komuna nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit publik për angazhimin e tyre.
Nga 43 mostrat e testuara si pjesë e testimeve substanciale në kategorinë e Mallrave dhe Shërbimeve, në 15 raste në vlerë 607,550€, nuk janë respektuar hapat për procedimin e pagesave, ku fillimisht është sjellë situacioni për punët/ mallin dhe shërbimet e pranuar dhe fatura, e pastaj është lëshuar Urdhërblerja. Komuna, obligimet e papaguara nuk i kishte paguar brenda afatit të paraparë prej 24 muajve sipas vendimeve përfundimtare dhe 30 ditë me Ligjin e Menaxhimit të Financave Publike. Vonesat janë vërejtur në një rast tek shpronësimet ku vlera e obligimit ishte 296,443€, dhe në 16 raste vonesat në pagesë në vlerë 397,247€, ishin për kategoritë mallra dhe shërbime dhe investime kapitale. Kjo ka ndodhur për shkak se komuna ka vendosur të bëjë shpronësime duke nxjerr vendime përfundimtare për shpronësime, pa pasur mjete dhe pa bërë ndonjë analizë të mirëfilltë buxhetore.” (ZKA, Prishtinë, 2023: https://zka-rks.org/cms/uploads/2023/05/RaportiAuditimit_K_GL_2022_Shqip.pdf)
ZKA për vitin 2023, ka gjetur për qeverisjen lokale të Albanit: “Nga testimi i mostrave, janë vërejtur keqklasifikime të shpenzimeve nëpër kategori ekonomike në vlerë 481,689€. Nga kjo vlerë, thesari kishte paguar sipas vendimit përmbarimor të gjykatës për paga jubilare dhe shujta për arsimtarë nga kategoria e investimeve kapitale 379,467€ dhe nga kategoria mallrave dhe shërbimeve 102,222€; projektet kapitale të papërfunduara nga vitet paraprake, nuk i kishin raportuar në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve si projekte dhe obligimet të papërfunduara për t’i bërë ndryshimet e kërkuara në tabelën 4.2 (financimi i investimeve kapitale komunale), Komuna në mungesë të ndarjeve buxhetore për këto projekte, gjatë vitit 2023 kishte realizuar pagesa nga fondet e projekteve tjera. Në katër raste, komuna ka lidhur marrëveshje për projektimin dhe punimin skulpturave monumentale pa u aplikuar procedurat e prokurimit, por vetëm përmes thirrjes publike. Vlera e pagesës për këto projekte ishte 113,770€. Në RVF Komuna raportoi se kishte 73 persona me marrëveshje për shërbime të veçanta, pra me një rritje nga viti i kaluar për 29 persona. Megjithatë, nga pesë mostrat e testuara, komuna nuk kishte zhvilluar procedurat e nevojshme të prokurimit publik për të angazhuar ata; nga testimi i mostrave, kemi vërejtur se në pesë raste, faturat me vlerë totale prej 270,182€ nuk janë paguar brenda afatit ligjor prej 30 ditëve. Vonesat janë nga 50 deri 75 ditë kalendarike; si rezultat i shpronësimeve dhe moskryerjes me kohë të obligimeve ndaj operatoreve ekonomikë, shuma e pagesave të realizuara nga thesari, në bazë të vendimeve gjyqësore/përmbarimore për shpronësimet ishte 665,980€. Prej tyre borxhi kryesor ishte 660,695€, ndërsa 5,385€ ishin shpenzime të interesit dhe procedurale të gjykatës/përmbarimit, ndërsa për vonesa në pagesën e faturave ishte 62,451€, prej tyre borxhi kryesor ishte 58,310€, ndërsa 4,141€ ishin shpenzime të interesit dhe procedurale të gjykatës/përmbarimit. Nga 46 mostrat e testuara në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, në tetë raste, zotimi i mjeteve dhe urdhërblerja janë proceduar pas datës së faturës dhe pranimit të mallit, ndërsa në katër raste të tjera vetëm urdhër-blerja është proceduar pas datës së faturës dhe pranimit të mallit. Shuma totale e këtyre rasteve është 273,665€. Në dy raste, vonesa në vlerësimin e tenderëve.” (ZKA, Prishtinë, 2024 në: https://zka-rks.org/cms/ReportFiles/2024_2fd91838-f5ef-459d-9d0d-a6c4b34dfeff.pdf)
ZKA për vitin 2024, ka gjetur për qeverisjen lokale të Albanit: “Detyrimet e papaguara të prezantuara (2,855,994€) në nenin 17 të Raportit Vjetor Financiar (RVF) ishin të mbivlerësuara për 49,692€, pasi komuna i kishte raportuar si obligime të papaguara faturat të cilat veçse ishin paguar gjatë vitit 2024. Mangësitë e identifikuara në menaxhimin e pasurisë, kanë ndikuar në nënvlerësimin e pasurive në PFV. Nga testimi i mostrave, keqklasifikime të shpenzimeve nëpër kategori ekonomike në vlerë 1,825,594€. Nga kjo vlerë, thesari kishte paguar sipas vendimit përmbarimor të gjykatës për paga jubilare dhe shujta për arsimtar nga kategoria e investimeve kapitale 1,076,013€, nga kategoria mallrave dhe shërbimeve 740,198€ dhe nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve 9,383€. Në fund të vitit 2024, komuna kishte bërë kërkesë në Ministri për aprovimin e buxhetit shtesë në kategorinë e pagave dhe shtesave, por kjo nuk kishte ndodhur. Te kontrata publike kornizë me (çmimi për njësi) ‘Mirëmbajtja teknike e objekteve’ me vlerën totale indikative 1,280.000€, tek aneksi i një dosjes së tenderit ishte dhënë edhe devijimi i lejuar +/-30%, dhe në bazë të kësaj është lidhur edhe kontrata, që është në kundërshtim me kërkesat e rregullores së prokurimit publik. Në katër pagesa të testuara në vlerë prej 138,714€, komuna ka përdorur fondet për projekte tjera nga ato për të cilat ishin planifikuar/buxhetuar. Në këto raste, nuk ka pasur aprovim nga Kuvendi Komunal për ridestinim të fondeve dhe rialokimit të ndarjeve buxhetore nga një projekt kapital në një tjetër. Në katër raste të faturave të papaguara në vlerë prej 361,708€, nuk janë paguar në afatin e paraparë ligjor. Vonesat në dy raste ishin nga 3 vjet, ndërsa në dy rastet tjera, vonesat ishin nga 3 deri në 9 muaj. Po ashtu, për shkak te moskryerjes se obligimeve me kohë, thesari sipas vendimeve gjyqësore/përmbarimore kishte ekzekutuar pagesa nga buxheti i komunës për vitin 2024 në vlerë prej 7,006,316€. Prej tyre, borxhi kryesor ishte 6,483,260€, ndërsa 523,056€ ishin shpenzimet shtesë në emër të procedurës gjyqësore/përmbarimore dhe interesit. Komuna e Gjilanit edhe gjatë vitit 2024 kishte vazhduar me angazhimin e 102 personave me kontrata për shërbime të veçanta për të mbuluar pozita të rregullta, dhe për këto angazhime nuk kishte zhvilluar asnjë lloj procedure, qoftë përmes prokurimit, apo procesit të rregullt të rekrutimit. (ZKA, Prishtinë, 2025, në: https://zka-rks.org/cms/ReportFiles/2025_709f4409-3d8e-4de1-b450-a16fe1248224.pdf)
13. Në aspektin e vlerësim social, Albani shihet në qytet, si një i ri, që nuk ka pasur energji të mjaftueshme psikologjike për ta përballuar famën e pushtetit, dhe kjo ia shtoi arrogancën, ose vështirësitë se si të sillej në qytet. Një legjendë është se, Albani është shumë familjar, mësojç, i edukuar, i zoti e orator. Një legjendë tjetër urbane është se, një deklaratë publike e një ish-analisti me ndikim, se Albani pas fitores në vitin 2021, do të ishte potencialisht edhe si kandidat për kryeministër, ia shtoi papritur Albanit, mendjemadhësinë e fshehur në komunikim, ose largimin e shpejtë të kontaktit me sy me kritikët, duke folur nga pozita e superioritetit të pushtetit. Legjendat e tjera thonë se, Albin Kurti duke e parë si figurë publike në rritje brenda LVV-së, fshehtas, dëshironte ta sabotonte Albanin, sepse nuk lejon kurrë Kurti, që dikush tjetër ta sfidonte brenda partisë.
Ai është njëshi, ndërsa të tjerët, krejt poshtë hierarkisë (shembulli i ish-Frymës së Re e PSD-së), prandaj, jo rastësisht, Lista Guxo, doli në Gjilan me një kandidat të saj për ta dëmtuar Albanin, me izën e heshtur të Kurtit. Legjendat e tjera urbane thonë se, menjëherë pasi fitoi pushtetin, Albani krekosej me stil e modë në mediet sociale, duke harruar se ishte kryetar komune, e jo për fashion TV. Sidoqoftë, stereotipat urbane, kanë efekte veçmas te brezi më i ri, por janë të rëndësishme për t’i ndarë si efekte kolaterale a periferike në zgjedhjet elektorale. Nga disa e vlerësojnë për thjeshtësi, nga disa, që iu ka rritur shpejt mendja si i ri me shumë pushtet. Sidoqoftë, në garat lokale, këto aspekte bëhen shumë të rëndësishme se si perceptohet një kandidat nga publiku dhe si qarkullojnë thashethemat urbane.