Liridoni nga Kosova dhe Zorani nga Serbia ndajnë këtë vit një fat të ngjashëm me miliona nxënës në botë. Pandemia COVID-19 çoi në mbylljen e shkollave dhe pati ndikim edhe në sektorin e arsimit. Sipas të dhënave zyrtare, në Serbi të prekur nga pasojat e mbylljes së shkollave për vitin shkollor 2019-2020 janë 517.826 nxënës, kurse në Kosovë 234.590.
Në mënyrë që nxënësit të mos humbin mësimet si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi mësimi filloi të organizohej online, si dhe përmes transmetimit të mësimeve në televizionet publike.
Pasi për të dy vendet kjo është hera e parë që janë duke përdorur platformat online për zhvillimi e mësimit te shkollat fillore, sipas ish-ministres së Arsimit në Kosovë, Hykmete Bajrami, dhe ministrit serb të Arsimit, Mladen Šarçeviq, kjo ishte mënyra më e shpejtë të cilën e përdorën edhe vendet e tjera të rajonit si Shqipëria e Maqedonia, duke transmetuar leksionet në televizionet publike.
Sfidë, mënyra e vlerësimit të nxënësve
Një nga çështjet e rëndësishme që bashkëshoqëron mësimin në distancë është vlerësimi i nxënësve. Si në Kosovë, edhe në Serbi u ngritën një sërë pyetjesh, që lidheshin me parimet e vlerësimit të mësimit në distancë, me kërkesat për përmbushjen e standardeve dhe me shmangien e pabarazisë për shkak të pamundësisë për të përdorur teknologjinë dhe për shkak të shkallës së aftësive digjitale të nxënësve dhe të mësimdhënësve.
Image
Në Kosovë një nga metodat kryesore është se detyrat nuk kërkohen të jenë të njëjta për të gjithë nxënësit. Kurse në Serbi është thënë se vlerësimi formativ kërkon ndërveprim më të madh të studentëve dhe të mësuesve që përdorin rrjete dhe platforma elektronike.
Si në Serbi, edhe në Kosovë po përdoren mundësitë minimale që ofron teknologjia online, sepse jo të gjithë nxënësit kanë mundësi të vlerësohen përmes të gjitha formave digjitale. Të paktën transmetimi përmes televizorit ka qenë i mundur për të gjithë fëmijët, sepse televizori dhe rrjeti kabllor në ditët e stome nuk konsiderohen më luks.
Pandemia si shans
Disa studime tregojnë se nxënësit dhe studentët mësojnë përmes internetit më shumë në krahasim me mësimin vetëm në klasë. Mesatarisht nga mësimi në klasë nxënësit përvetësojnë 8-10% të materialit, kurse përmes internetit 25-60% më shumë.
Arsimi është pa dyshim forma kryesore për të zhvilluar një vend, prandaj edhe në kohë të virusit ka pasur një rol të rëndësishëm. Por nëse Serbia dhe Kosova do të kishin investuar edhe më parë dhe do të kishin eksperimentuar me mundësitë e mira, të cilat ofron teknologjia, kjo nuk do vihej në mëdyshje.
Tani të dyja të vendet e kanë mundësinë që të vënë në funksion të mirat e teknologjisë dhe të krijojnë kushte më të mira për nxënësit, nëse përsëri duhet të përdoren platformat online.