Zvicra dhe Kosova do të përballen mes vete në një ndeshje miqësore nesër.
Në prag të kësaj ndeshje, në konferencën për shtyp te “Helvetikët” sot është paraqitur Xherdan Shaqiri.
Futbollisti nga Kosova tha se nesër pret që të jetë një ndeshje e shkëlqyer.
“Është krejt normale që jo të gjithë fansat të pëlqejnë gjatë gjithë kohës. Mendoj se 95 për qind e njerëzve do të jenë të lumtur të më shohin duke luajtur. Sigurisht që do të jetë një lojë e shkëlqyer”, tha futbollisti i Chicago Fire.
Tutje, Shaqiri u pyet se sa e veçantë është për të ndeshja e nesërme, teksa ai mes tjerash tha se fitorja është qëllimi i tij dhe bashkëlojtarëve.
“Siç thashë, sigurisht që do të jetë pak më emocionuese. Por është një lojë miqësore dhe Kosova gjithashtu ka shumë lojtarë që janë rritur në Zvicër. Jam i sigurt se do të jetë një lojë e madhe dhe historike që ne duam ta fitojmë padyshim. Unë përgatitem normalisht. Unë kam luajtur tashmë lojëra që ishin shumë më të rëndësishme. Duam të tregojmë një reagim ndaj humbjes ndaj Anglisë. Qëllimi është i qartë: të fitojmë çdo ndeshje. Do të përqendrohem plotësisht në punën time në fushë”, shtoi 30-vjeçari.