Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë me një komunikatë për media ku shprehen të zhgënjyera me refuzimin e Qeverisë së Kosovës që ta zgjasë afatin e zbatimit të vendimit për targat, kërkesë ekskluzive kjo e shtetit aleat.
Në komunikatën e publikuar në faqen e Departamentit të Shtetit, Kosovës i kërkohet që ta zgjasë përiudhën e zbatimit të vendimit për targat.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në reagimin e ShBA-së.
Tutje, theksohet qartë se shteti amerikan është i zhgënjyer dhe i shqetësuar me Qeverinë e Kosovës që t’i dëgjojë kërkesat e tyre.
Ndërkaq, në fund, Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që të punojnë urgjentisht për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohje reciproke.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, përfundon komunikata.