Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Iranit të dielën në mbrëmje, duke vazhduar përshkallëzimin e përplasjeve ushtarake mes dy vendeve që kanë zgjatur prej disa ditësh.
Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet amerikane shkaktuan vdekjen e një personi në jugperëndim të Iranit, ndërsa katër të tjerë mbetën të plagosur, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Vetëm pak orë pas sulmeve të reja amerikane, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se kishte kryer sulme me raketa ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt, Jordani dhe Bahrein. Deri tani nuk ka pasur konfirmim të pavarur nga autoritetet amerikane për këto pretendime.
Përshkallëzimi i tensioneve ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e marrëveshjes së përkohshme mes ShBA-së dhe Iranit, e cila ishte nënshkruar në muajin qershor.
Ndërkohë, vazhdojnë deklaratat kontradiktore lidhur me statusin e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve detare më të rëndësishme për transportin global të naftës. Irani pretendon se e ka mbyllur ngushticën deri në një njoftim të dytë, ndërsa Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se lundrimi në këtë korridor detar vazhdon normalisht.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se vala e fundit e sulmeve nisi rreth orës 17:00 me kohën lindore të SHBA-së. Sipas saj, objektivat përfshinin dhjetëra pozicione ushtarake iraniane, mes tyre sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë bregdetarë, si dhe kapacitete për lëshimin e raketave dhe dronëve.

