Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), paralajmëruan ndihmë urgjente për Kosovën në vlerë prej 2.5 milionë dollarë amerikanë kundër COVID-19.
Përmes një njoftimi për media, nga USAID-i thuhet se kjo ndihmë do të sigurojë mbështetje gjithëpërfshirëse në realizimin e vaksinimit kundër COVID-19, duke ndihmuar përpjekjet për të promovuar pranueshmërinë dhe qasshmërinë e vaksinave të sigurta COVID-19 te të gjitha popullatat e kualifikueshme për t’u vaksinuar dhe do të forcojë sistemin shëndetësor në tërësi, duke përfshirë zëvendësimin e sistemit të zinxhirit të ftohtë.
“Kjo ndihmë është një donacion zemërgjerë nga populli amerikan për popullin e Kosovës. Nuk janë vaksinat si të tilla ato që do të ndalojnë virusin, por është vaksinimi me to. Prandaj, vendosni maskat, përvilni mëngët dhe bëni atë që duhet bërë për të siguruar se si ju vetë, ashtu edhe të dashurit tuaj të jeni të mbrojtur. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të luftuar këtë virus tinëzar së bashku me partnerët tanë, që do të thotë me ju. Bashkërisht, ne mund të luftojmë këtë virus dhe të ndalojmë përhapjen e COVID-19”, tha drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi.