Po e përcjelli me vëmendje intervistën e Lutfi Hazirit në RTV21, ndërsa ai po më duket i pavëmendshëm.
Ndër shumë tema të tjera, ndër to edhe ato që nuk i takojnë, apo që tejkalojnë komunën, të cilat nuk më përkasin t’i komentoj apo të jap vlerësime për to, tha edhe atë se nuk e ditka se cila parti është PDK-ja në Gjilan, duke thënë “e treta apo e katërta”.
Obligohem nga pozita që kam, si shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, që ta arsyetoj publikisht kryetarin Haziri, se nuk ka gjasë që ai të jetë kaq i painformuar, sa të mos e dijë që PDK në Kuvendin Komunal në Gjilan është partia e dytë – në këtë rast bashkë me Vetëvendosjen, duke qenë në numër të barabartë të këshilltarëve – por kjo është një batutë politike me të cilën do t’i ngacmojë partitë opozitare, posaçërisht PDK-në të cilën e ka rivalin e vetëm që e konsideron.
Për këtë vlerësim edhe ne shprehim konsideratën tonë dhe e falënderojmë për respektin që tregon duke vlerësuar rëndësinë tonë me tendencën e tij për ta përçmuar apo minimizuar rëndësinë e rolit të PDK-së.
Megjithatë, si kundërpërgjigje, në rast se do ta merrnim seriozisht, do t’i kujtonim një fjalë shumë të njohur në folklorin shqiptar, që ka të bëjë me këtë –
“Jetëgjati s’bëhet jetëshkurtër me nëmë”!
Riza Abdyli shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Gjilan