Shefi i stafit të kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, Luan Dalipi, ka dalë me një reagim pasi kompania që kishte themeluar, e që tashmë është në pronësi të vëllait të tij, Driton Dalipit, ka aplikuar për t’u licencuar për tregti me energji elektrike në Kosovë.
Dalipi në arsyetimin e tij ka thënë se vëllai Dritoni s’është ministër e as këshilltar, dhe se është një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë në biznes, dëshiron ta provojë fatin në tregun e liberalizuar të energjsië.
Shefi i stafit të Kurtit është marrë edhe me mediat të cilat kanë raportuar sot për këtë gjë, e cila u tha edhe në konferencën për media të PDK-së.
“ Qëndrim personal – Për hir të opinionit publik. Po, është e vërtetë – që kur kam hyrë në Qeveri, Dritoni s’ka pushu së qenë vëllau jem (as nuk ishte për t’u pritur ndryshe ). Dritoni s’është ministër, s’është këshilltar, s’është as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër. Aplikoi ligjërisht, siç bëjnë njerëzit normalë. Portalet që e bënë këtë “Breaking Neës” ndoshta kanë nevojë për pushim veror… ose një kurs bazik në ekonomi. Kurse për ata që duan të dinë më shumë – lexoni më poshtë”, ka shkruar ai.
“Dritoni dhe cilido qytetar tjetër ka të drejtë të aplikojë për një licencë në tregun e liberalizuar të energjisë. Pastaj është çështje e tregut – ofertë e kërkesë – për ata që kuptojnë pak nga ekonomia. Nëse është konkurrues, do të kontraktohet nga kompani private. Asgjë më shumë, e asgjë më pak”, ka shtuar Dalipi.