Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, thotë se vërtetë Kosova ka probleme të theksuara në sistemin e drejtësisë, por sipas tij procesi i Vettingut do të ishte hapi i fundit për të përmirësuar këtë sistem.
Szunyog në RTV Dukagjini thotë se Vetting duhet të jetë masë e jashtëzakonshme.
“Kosova ka mjete të mira për të matur integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ka mjete për të matur punën e tyre. Ne nuk e shohim Vettingun si diçka që duhet të jetë gjëja e parë për të përmirësuar sistemin e drejtësisë. Vettingu është mjeti i fundit. Pra nëse asgjë nuk funksionon duhet të vijë në pyetje Vettingu”, deklaroi ai.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë thotë se ka ende mjete që nuk janë përdorur për të përmirësuar sistemin e drejtësisë.
“Ne kemi analizuar koncept-dokumentin për Vettingun dhe nuk i kemi të qarta disa koncepte. Kuvendi e qeveria mund ta miratojnë Vettingun, por ne mbështesim vetëm proceset që ne ndihemi rehat”.
Szunyog thotë se para se qeveria të hedh hapin e radhës për Vettingun të konsultohet më shumë me partnerët ndërkombëtarë.
Ai thotë se Vettingu merr shumë kohë që të jetësohet dhe kërkon shumë mjete financiare.
“Në Shqipëri Vettingu ka marrë pesë vjet dhe ende nuk ka përfunduar. Unë nuk kam besim se Vetting në Kosovë do të përmirësonte sistemin e drejtësisë”, tha Szunyog.