Me shkas
Si do të sillet “investitori” i qeverisë për Gjilan, pas shuplakës që mori sot ai dhe partia e tij (AAK) nga kryetari i Komunës së Gjilanit, i cili sapo dha “kumtin” e shkëputjes së partneritetit me AAK-në, në qeverisjen lokale, është pyetja e radhës, por jo shqetësuese për mua natyrisht, as e vetmja, jo!
Shqetësuese mbeten keqpërdorimet dhe manipulimet e skajshme me investime, të cilat janë nga taksa jonë, nga kurrizi “i thyer” i qyetarëve taksapagues të komunës së Gjilanit, e jo private nga xhepi i askujt.
Dorën në zemër, çfarëdo investimi qoftë në komunë, i atribuoet kryetarit të Komunës, atij dhe subjektit të vetë që kanë fituar mandatin, sikundër edhe deshtimet në qeverisjen e tyre.
S’do mend se krejt kjo po bëhet për kalkulime politike para zgjedhjeve të tashme nacionale, sikurse edhe për ato lokalet “për t’ia pre vadën më herët”, siç thuhet me zhargonin populist – bulevardesk.
Ndonëse ky ishte sot lajmi i ditës për Gjilanin, vëmendja ime (jo vetëm e imja) është te Dega e PDK-së në Gjilan: ku jemi ne sot në këtë relacion – konstelacion politik të shthurur këtu, në prag të zgjedhjeve nacionale të vendit?!
Sjelljet paszgjedhore të lidershipit të degës së PDK-së në Gjilan deri me sot (dhe të qendrës, fatkeqesisht), nuk korespondojnë me nevojën për konsolidim – reforma të brendshme dhe me realitetin politik në Gjilan, për një ofertë serioze, akceptuese për ndryshime të domosdoshme qeverisëse.
Ne vend të unifikimit për mobilizim të mirëfillt për sfidat që e presin PDK-në në Gjilan, aktualisht në degë mbizotëron një përplasje e ashpër përjashtuese, për pozicionime të pakuptimta të individëve dhe grupeve të caktuara brenda strukturës, jo për përfaqësim dinjitoz të Partisë Demokratike të Kosovës dhe vlerave të saj, por për përfaqësim të interesave personale – grupore për të dominuar mbi tjetrin, mbi llojin e vet.
Prandaj, kam drojën se me këtë qasje Dega e PDK-së në Gjilan veçsa do ta thellojë hendekun e përqarjes, që rrjedhimisht rritë diferencën e largimit nga fitorja e pretenduar në zgjedhjet e radhës.
Shefik Surdulli /anëtar i KD të degës dhe këshilltar komunal/