Hoxhë Shefqet Krasniqi ka komentuar deklaratën e sotme të kryeministrit Kurti, i cili tha se mosha 16 vjeç duhet të jetë pragu për mbajtjen e shamisë në shkolla në Kosovë.
Krasniqi kërkoi shfuqizimin e këtij udhëzimi pasi, sipas tij, komuniteti mysliman përbën 95% të popullësisë dhe, si i tillë, të drejtat duhet t’i garantohen.
Ai bëri një krahasim me kafshët, ku tha se kur bëhet fjalë për të drejtat e kafshëve, pushteti politikë janë të zëshëm, ndërsa heshtin kur flitet për bartjen e shamisë.
“Ne kemi ngritur zërin që nga paslufta në vazhdimësi rreth kësaj çështje ashtu edhe siç kemi përkrahur të gjitha iniciativat rreth kësaj kërkese e sigurisht se e përkrahim edhe këtë iniciativë. Zoti e ruajtë këtë rini e drejtoftë bashkë me këtë qeveri, Amin!”, ka shkruar ndër të tjera në Facebook. /Reporteri.net/.
Postimi i tij i plotë:
Selam alejkum të nderuar vëllezër dhe motra.
Këto ditë është aktivizuar sërish çështja e shamisë, e drejtë kjo e garantuar nga ligji i Zotit.
Pushteti aktual politik duhet të përmbushë premtimet e dhëna në zgjedhjet e kaluara dhe të shfuqizojë pjesën e këtij udhëzimi administrativ lidhur me ndalimin e shamisë në shkolla, pasi që vendi ynë banohet nga një popullatë mbi 95% muslimanë dhe kjo është e drejtë e cila nuk mund të cënohet as të negociohet.
Flitet e bëhet thirrje për të drejta të shtazëve, të drejta të grupeve të ndryshme të cilat nganjëherë 50 veta nuk i mbledhin në tërë Kosovën ndërsa heshtin për kërkesat e komunitetit më të madh në vend.
Ne kemi ngritur zërin që nga paslufta në vazhdimësi rreth kësaj çështje ashtu edhe siç kemi përkrahur të gjitha iniciativat rreth kësaj kërkese e sigurisht se e përkrahim edhe këtë iniciativë.
Zoti e ruajtë këtë rini e drejtoftë bashkë me këtë qeveri, Amin!
#ndryshojeni_ua_për_shaminë