Prishtinë- Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për dy vepra penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Sheholli ngarkohet se zbatoi planin operativ të përgatitur nga një zyrtar i Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA), duke i përcjellë atij informacione e dokumente lidhur me aktivitetet politike dhe gjendjen e sigurisë në Kosovë, me qëllim dëmtimin e interesave të vendit, si dhe ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor të mbajtur më 12 tetor 2025. Gjithashtu, akuzohet se derisa ishte në paraburgim, shantazhoi të dëmtuarin Arben Jetullahu, duke e dëmtuar mbi 13 mijë euro nën kërcënimin se do t’i publikonte në media video-incizime e informacione që ia dëmtojnë reputacionin e autoritetin.
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se Sheholli kishte siguruar audio dhe transkrpite të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitetet dhe Kthim në Republikën e Kosovës e të destinuara për komprementim të tyre. Për këtë shërbim, Sheholli sipas aktakuzës ka marrë shumën prej 5 mijë euro. Dhe se në zbatim të planit të zyrtarit të BIA-s, aktakuza thotë se materialet e marra ia dorëzoi gazetarit Milaim Zeka duke ia dhënë edhe shumën prej 1 mijë euro, si dhe duke e udhëzuar njëkohësisht edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin e tij dhe atë disa ditë përpara ditës së votimit për zgjedhjet lokale.
Milaim Zeka mohoi të ketë pasur njohuri se materialet janë nga BIA serbe:
Lidhur me këtë rast, dëshmitari Milaim Zeka më 8 tetor 2025 në Polici deklaroi se fillimisht ishte kontaktuar përmes telefonit nga Fatmir Sheholli, i cili i kishte thënë se kishte disa materiale ekskluzive të siguruara nga “GIZI” gjerman për një aferë korruptive të ministrit Nenad Rashiq dhe i kishte kërkuar të takoheshin në një lokal në Prishtinë.
Zeka ka deklaruar se ky takim është realizuar pas fillimit të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale tetor 2025, dhe në këtë takim Sheholli i kishte sjellë dhe dhënë një USB e cila sipas Shehollit përmbante informacione sa i përket punësimeve, kuridisjeve të tenderëve nga ministri për Kthim, Rashiq, ku i përfshirë është edhe një shqiptar – sekretari permantent në atë ministri.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Zeka deklaroi që me Fatmir Shehollin janë takuar përsëri në një restorant, ku në këtë takim i pandehuri i kishte sjellë materiale në kopje fizike rreth 17 faqe me shkrim në gjuhën serbe lidhur me aferën e ministrit Rashiq, dhe i kishte thënë se: “nuk je ti i vetmi gazetar qe i ki kto materiale, ja kena dhon edhe mediave tjera, po nuk guxojne me i publiku”.
Më tej, dëshmitari Zeka deklaroi se nuk ka ditur qëllimin e të pandehurit Fatmir Sheholli, por në ato momente ka menduar që është me interes për publikun publikimi i atyre materialeve.
“Po ashtu, dëshmitari Milaim Zeka e pranon se ka pasur marrëveshje me Fatmir Shehollin për publikimin e materialeve në këmbim të parave, edhe atë në shumë prej dymijë (2,000) euro, fillimisht për publikim njëmijë (1,000) euro të cilat ia ka dhënë kur janë takuar në restoran “Garden” dhe tjerat pas përfundimit të publikimit, të cilat nuk ia ka dhënë ende. Po ashtu, shton se nga përvoja e tij ka dyshuar se ajo USB mund të përmbaj ndonjë virus por asnjëherë nuk e ka menduar e as pasur njohuri se ato mund të jenë materiale nga BIA serbe“, citohet se deklaroi Zeka.
Nenad Rashiq kishte deklaruar se është kërcënuar e shantazhuar përmes bashkëpunëtorëve të tij
Ndërkaq, i dëmtuari- dëshmitari Nenad Rashiq në Polici më 26 janar 2026, deklaroi se gjatë ushtrimit të detyrave të tij politike dhe institucionale në insitucionet e Republikës së Kosovës, si deputet, ministër, nënkryetar i Kuvendit, nuk ka pasur presione të drejtpërdrejta por në shumë raste ka pasur si lloj kërcënime e shantazhe përmes bashkëpunëtorëve të tij apo mënyra tjera përmes familjes, e të cilat burimin kryesor e kanë prej njerzëve që deklarohen si njerëz të BIA-s serbe.
Ai kishte deklaruar se së fundmi, një shantazh të tillë e ka pasur më 24 korrik 2025 ku brenda një periudhe të shkurtër kohore janë telefonuar pesë bashkëpunëtorët e tij (Sllavisha Popoviq, Daniel Vasilijeviq, Milan Dabiq, Aleksander Djekiq dhe Ivan Saviq) nga person i prezantuar si zyrtar i BIA-së serbe me nofkën “Panta” i cili i ka kërkuar bashkëpunëtorëve të tij që ditën e shtunë rreth orës 4 ose 5 të paraqiten në Beograd me paralajmërimet- kërcnimet se nëse nuk paraqiten në bisedë informative të pësonin keq.
Rashiq kishte theksuar se këtë kërcënim nga zyrtari i BIA-së ka arritur ta incizojë bashkëpunëtori i tij Popoviq dhe këtë incizim e posedon të cilën e dorëzon si provë.
Sipas Rashiqit, më 10 gusht 2025, numri që kishte telefonuar bashkëpunëtorët e tij ka krijuar në grup në Viber duke e përfshirë atë dhe pesë bashkëpunëtorët e tij, ku ka postuar incizime kinse komprometuese në lidhje me keqpërdorimet e mundshme në Ministrinë ku e drejton duke ia shoqëruar një koment: “Nëse do të bëheshit të mençur dhe do të paraqiteshit në takimin e thirrur, kjo nuk do të ndodhte. Tani këto materiale do ti dërgojmë në Prokurorinë Speciale, nepër ambasada, tek mediat, te GIZI etj”.
Këto materiale, thuhet se ndërkohë janë publikuar nga gazetari Milaim Zeka diku në fund të muajit shtator 2025.
“Lidhur me këto incizime të montuara i dëmtuari Rashiq deklaron se dyshoj se disa sekuenca janë bërë në zyrën time nga një ish-bashkëpunëtor i imi Darko Stolic të cilin e ka larguar nga gushti i vitit 2024 për shkak se i njëjti kishte lidhjet me persona të afërt me Milan Radojqiq, ndërsa Fatmir Shehollin e njeh vetëm nga paraqitjet e tij në media dhe si këshilltar të kryetarit të komunës së Graçanicës – Vlladan Kostic, anëtarë i Listes Serbe. Kurse rreth njohurive të tij me Bojan Dimic deklaron se e njeh si figurë të cilin e ka njohur para luftës, dhe tani ka kuptuar që është shef i BIA-së për Kosovë dhe se nuk ka pasur asnjëherë kontakt me të“, citohet se deklaroi Rashiq.
Fatmir Sheholli nuk i mohoi kontaktet e vazhdueshme me Bojan Dimiçin
I akuzuari Fatmir Sheholli, në deklarimet e tij në Polici dhe Prokurori, në prezencë të avokatit të tij, ka deklaruar se punon si drejtor në një Organizatë Joqeveritare me emrin “Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike”. Ka thënë se nga vitet 1990 e deri më 5 maj 1993 ka punuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë si analist në sektorin e analitkes.
Po ashtu, gjatë deklarimit, në aktakuzë thuhet se Sheholli nuk i mohon kontaktet e vazhdueshme nga viti 2013-2014 me Bojan Dimiç, të cilin deklaron si zyrtar të kabinetit Aleksandër Vuçiq.
“I njëjti në lidhje me planin e zyrtarit të BIA –ës, për ndërhyrje në zgjedhjet lokale në Kosovë, duke komprometuar zyrtarët politik, deklaron se materialin e tillë e ka pranuar dhe e ka siguruar nga Bojan Dimiç, përmes një personi të panjohur në Mitrovicën e Veriut, dhe më pas ia ka dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, materiale që lidheshin me pretendime për keqpërdorime në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, të cilat më pas janë publikuar në portalin “Pa Rrotlla”‘, citohet se deklaroi Sheholli.
Kurse, në deklaratën e dhënë në Polici, i pandehuri Sheholli kishte deklaruar se materialet i kishte marrë nga një person të cilin e kishte paraqitur si ish-punëtor të GIZ-it gjerman, në veri të Kosovës, dhe se bashkë me materialet kishte pranuar edhe 5 mijë euro.
“Ndërsa, në deklaratën e datës 14.08.2026 të dhënë në prokurori, i pandehuri ka dhënë sqarime shtesë lidhur me burimin e këtyre materialeve, duke deklaruar se paraprakisht kishte komunikuar me Bojan Dimiçin, të cilin e identifikon si zyrtar të BIA-së dhe ish-përgjegjës për Kosovën në kuadër të këtij shërbimi. Sipas tij, Dimiçi e kishte njoftuar për ekzistimin e materialeve dhe për pretendimet që ato përmbanin“, thuhet në aktakuzë.
Më tej, thuhet se Sheholli ka deklaruar se, pasi materialet i kishte pranuar nga një person i panjohur, kishte kontaktuar Dimiçin dhe e kishte njoftuar edhe për shumën prej 5 mijë eurosh. Më pas, materialet ia kishte dorëzuar Milaim Zekës për publikim dhe gjatë publikimit kishte vazhduar komunikimin me Dimiçin, i cili, sipas tij, kishte kërkuar korrigjimin e disa emrave dhe të dhënave.
Sheholli pranoi se Dimiç ia dërgoi edhe dokumentin “Leptiri”, plan operativ për diskreditimin e Albin Kurtit
“I pandehuri ka pranuar gjithashtu se një dokument të njohur si “Leptiri” (një plan operativ i Shërbimit Sekret Serb për diskreditimin e Albin Kurtit i cili në atë kohë ishte në burgun e Nishit), ia kishte dërguar drejtpërdrejt Bojan Dimiçi në telefon, ndërsa më pas ai e kishte përcjellë këtë dokument te disa persona të tjerë, si brenda shut edhe jashtë Kosovës me qëllim të shpërndarjes së këtij informacioni/plani operativ“, thuhet të ketë deklaruar Sheholli.
Po ashtu, sipas aktauzës, Fatmir Sheholli ka pranuar se kishte pasur komunikime të vazhdueshme me Dimiçin gjatë vitit 2025 dhe se numrin e tij e kishte ruajtur në telefon me emra të ndryshëm, duke deklaruar se këtë e kishte bërë për të mos u kuptuar nga persona të tjerë se me kë komunikonte.
Fatmir Sheholli mohoi se ka vepruar kundër interesave të Kosovës
Por, edhe përkundër pohimit të veprimeve inkriminues, i pandehuri me qëllim të ikjes së përgjegjësisë penale ka mohuar se ka vepruar kundër interesave të Republikës së Kosovës apo se ka punuar për ndonjë shërbim tjetër, përkatësisht shërbimin serb BIA duke deklaruar se nuk e ndien veten fajtor për veprën penale të spiunazhit.
Për çka pretendoi Sheholli se i kërkoi ndihmë i dëmtuari Arben Jetullahu duke i ofruar pagesë?
Në deklaratën e dhënë në Prokurori më 14 gusht 2026, Fatmir Sheholli ka deklaruar se të dëmtuarin Arben Jetullahu e njeh prej një kohe të gjatë dhe se, pas rastit të Banjskës, Jetullahu kishte kërkuar ndihmën e tij lidhur me sulmet dhe presionet mediatike ndaj kompanisë së tij.
“Shton se Arben Jetullahu i kishte përmendur një gazetar nga Kallxo.com, për të cilin kishte pretenduar se po ushtronte presion ndaj tij, ndërsa i pandehuri i kishte thënë se do të merrej me këtë çështje dhe do të komunikonte me persona të tjerë lidhur me të duke theksuar se në kuadër të këtij angazhimi, Arben Jetullahu e kishte angazhuar dhe e kishte paguar me shumën prej 1,000 euro në muaj, ndërsa më pas pagesa ishte bërë në shumën prej 500 euro, në të holla të gatshme“, thuhet se deklaroi i pandehuri.
Sipas të pandehurit, këto pagesa ishin bërë me vullnetin e të dëmtuarit dhe kishin të bënin me angazhimin e tij për çështjet e lartcekura. Tha se lidhur me këtë çështje kishte komunikuar edhe me persona të tjerë, duke përmendur se kishte ndërmarrë veprime përmes gazetarëve tjerë.
Ai ka deklaruar se i kishte treguar Arben Jetullahut se ndaj kompanisë së tij po zhvillohej një hetim dhe se, sipas tij, nëse Arbeni ishte në rregull me mediat, ai do të merrej me këtë çështje.
“Sa i përket komunikimit dhe kërkesës për shumën prej 700 euro, i pandehuri Fatmir Sheholli ka deklaruar se i kishte thënë djalit të tij që t’i përcillte Arben Jetullahut që t’ia jepte gruas së tij shumën prej 700 euro, me arsyetimin se kjo shumë do t’i kthehej më vonë, pas shitjes së lokalit por e ka mohuar se kjo kërkesë ka qenë e lidhur me ndonjë kërcënim apo presion ndaj të dëmtuarit duke deklaruar se nuk ka pasur qëllim ta shantazhojë dhe se nuk ka pasur asgjë me të cilën do ta shantazhonte atë”, citohet se deklaroi Sheholli./Betimipërdrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

