Sot zhvilluam një takim me Kryeshefen Ekzekutive të Postës së Kosovës, znj. Nora Rraci, për të diskutuar rolin e kësaj ndërmarrjeje publike në sigurinë dhe funksionalitetin e infrastrukturës kritike të komunikimit.
Bashkëbisedimi u fokusua në sfidat aktuale dhe nevojën për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional, sidomos në fushën e identifikimit të kërcënimeve dhe hartimit të planeve emergjente për mbrojtjen e rrjetit postar. Po ashtu, diskutuam rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve për përballimin e situatave të jashtëzakonshme dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve të rëndësishme për qytetarët.
Znj. Rraci ndau angazhimet e ekipit të saj për modernizimin e rrjetit postar dhe përmirësimin e proceseve operacionale, duke nënvizuar rëndësinë e infrastrukturës postare si një shtyllë kyçe për shërbimet publike dhe ekonominë e vendit.
Takimi ishte një mundësi e shkëlqyer për të identifikuar hapat e ardhshëm drejt sigurimit të qëndrueshmërisë dhe përmirësimit të infrastrukturës kritike të Postës së Kosovës, në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve tona.