Quhet lagjja e Muhaxhirëve të Malishevës, lagje e cila nuk ka më tepër 5 kilometra nga qyteti, por është e harruar si të ishte prapa diellit. Ajo ka 10-15 shtëpi. Ajo jo vetëm nga paralufta por edhe nga pas lufta, si para pavarësisë, ashtu edhe pas pavarësisë, ende nuk e ka parë si duket dora e pushtetit të vet komunal dhe nuk di çfarë e mire është bërë për këta qytetarë.
Shkruan: Nevzad ISUFI
Problemet me të cilat ballafaqohet kjo lagje janë nga më të mëdhatë dhe duket sikur të jetë e shlyer nga regjistri si lagje e fshatit Malishevë por edhe si banorë të komunës së Gjilanit.
I vetmi investim nga paslufta në këtë lagje është shtruarja me rërë dhe bërja gati e rrugës për asfaltim diku nga viti 2012-2013, në një projekt thuhet e evidentohet se kjo rrugë është shtruar, po nuk u shtrua kurrë deri më sot. Kjo rrugë përpos rëndësisë që ka për banorët e lagjes, ka rëndësi edhe më të madhe se është një lidhje edhe e fshatrave tjera. Kështu lidhjet me të vijnë nga magjistralja Gjilan – Bujanoc, nga ku hyn në rrugën lokale në fshatin Kmetoc, Vërbicë e Kmetocit, Malishevë e nga këtu vazhdon edhe në fshatin Uglar, Pogragjë e gjithë fshatrat në vazhdim, deri në zonën kufitare dhe anasjelltas.
Pra bëhet fjalë për 2 kilometra rrugë të pashtruara me asfalt, e cila mund të shërbente në rast të ndonjë bllokimi, por edhe si shkarkim i qarkullimit të rrugës magjistrale, nga udhëtarët – banorët e fshatrave të përmendura por e dhe qytetarët tjerë do të mund ta shfrytëzonin këtë, pa pasur nevojë që nga magjistralja Gjilan –Bujanoc, të hynin në qytet, për t’u drejtuar drejt Malishevës dhe fshatrave tjera të kësaj lugine të Anamoravës.
Kështu siç është, ajo jo vetëm për banorët e Muhaxhirëve të Malishevës paraqet një problem të madh, sepse tërë verës i mbulon pluhuri, ndërsa gjatë vjeshtës dhe dimrit, nga shiu e bora krijohet balta që pengon e vështirëson këmbësorët e gropat që dëmtojnë automjetet në masë të madhe. Kjo rrugë, as si e tillë nuk mirëmbahet nga komuna, ndërsa banorët e kësaj lagjeje në mundësit e veta herë pas here janë të detyruar ta bëjnë vet këtë.
Nëpër këtë copë rrugë, gjatë gjithë kohës duhet të kalojnë edhe nxënësit, për të shkuar në shkollën e fshatit Malishevë. Këta banorë të kësaj lagjeje e kanë qytetit si në pëllëmbë të dorës dhe e shohin ndriçimin e qytetit çdo natë, por ata në lagjen e tyre, natën nuk shohin as 10 metra larg shtëpive, sepse lagjja e as rruga e tyre nuk kanë ndriçim.
Një problem edhe më i madh është se kjo lagje nuk ka as kanalizim. Ata për gjithë këto vite janë të detyruar që ujërat e zeza t’i lëshojnë të rrjedhin nëpër prona private të njëri-tjetrit dhe përgjatë rrugëve të fshatit, duke iu ekspozuar çdo ditë kundërmimit e rrezikut të infektimit.
Këta banorë janë të lodhur dhe në hall të madh me këtë problem, sepse këto ujëra tash po rrezikojnë edhe ujërat e puseve të këtyre banorëve të kësaj lagjeje, por edhe të banorëve të lagjeve të tjera të fshatit Malishevë. Janë rreth 30 puse, të cilat shfrytëzohen edhe për pije, e ndër ta edhe puset të cilat furnizojnë me ujë shkollën e fshatit. Pra ky ujë i pijshëm shfrytëzohet nga nxënësit e kësaj shkolle dhe nuk është vështirë të merret me mend se çfarë ndodh sikur ai të infektohet nga rrjedhja e ujërave të zeza.
Banorët me të drejtë po kërkojnë që të largohen këto ujëra nga pronat e tyre, sepse edhe uji edhe toka po ndoten, por edhe këta të tjerët çfarë të bëjnë, si do të gjejnë zgjidhje për ujërat e zeza?! Nëse do i lëshojnë përgjatë rrugës publike, ato përsëri do të bien në arat dhe livadhet, ku janë puset e ujërave që përmendëm. Kështu që zgjidhja e vetme është rregullimi i kanalizimit, por këtë banorët nuk mund ta bëjnë vetëm e komuna nuk ndërmerr asgjë.
Sikur këto të mos mjaftonin, për t’ua vështirësuar jetën këtyre banorëve, në gjysmë të kësaj rruge dy kilometërshe, njerëz të pandërgjegjshëm vazhdimisht hedhin mbeturina të ndryshme e mbetje të kafshëve të therura, pas të cilave pastaj vijnë qentë (e qentë nuk janë problem vetëm i kësaj lagjeje), të cilët rrezikojnë më së shumti fëmijët por edhe kalimtarët.
Edhe kjo detyron banorët e kësaj lagjeje, që tërë kohën të përcjellin fëmijët e tyre në vajtje e ardhje nga shkolla. Kjo tregon se inspektorët përgjegjës për ruajtjen e ambientit nuk e kryejnë punën e tyre.
Janë këto kushte elementare, të cilat u mungojnë dhe ua vështirësojnë jetën banorëve të Lagjes së Muhaxhirëve të fshatit Malishevë dhe kjo krijon shëmtinë e kësaj lagjeje të bukur. Në bisedë ata janë të sinqertë e të drejtpërdrejtë, gjërat i thonë ashtu siç janë, pa i zmadhuar, por me të drejtë kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë, në mënyrë që të mos bëhen edhe ndonjë burim i konfliktit, gjë të cilën se do askush. Ata kanë marrëdhëniet shumë të mira e të ndërsjella fqinjësore.
Mungesa e këtyre kushteve elementare, ka detyruar shumë banorë të kësaj lagjeje të zhvendosen në qytet. Përndryshe kjo lagje, në kushte të tjera normale do të ishte një lagje shumë atraktive për të banuar e jetuar. Këta banorë e bashkëqytetarë tanë, janë taksa pagues të rregullt të të gjitha obligimeve të tyre e edhe të taksës rrugore, por si kundërvlerë, nuk po marrin asnjë shërbim nga ato më të nevojshmet, si; infrastruktura rrugore, kanalizimi, ndriçimi publik, pa ujësjellës e as grumbullim të mbeturinave. Pra, për ta shekulli 20 dhe 21 ende nuk kanë ardhur.
Ata kërkojnë që komuna sa më shpejtë, të ndërmarrë diçka për përmirësimin e këtyre kushteve, sepse siç thonë, ata me asgjë nuk e meritojnë këtë përbuzje e anashkalim nga institucionet përgjegjëse të komunës. Nëse asgjë nuk ndërmerret nga komuna, ata thonë se nuk do rrinë duarkryq e ndoshta në formë proteste do të bllokojnë edhe rrugën.
Më poshtë mund të shihni disa fotografi, të cilat pasqyrojnë gjendjen e sipër përshkruar të kësaj lagjeje në këto ditë vjeshte.
Autori është anëtar i Kuvendit komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje