Një grua që ishte e “ngjitur” pas telefonit deri në tetë orë në ditë ka treguar metodën e thjeshtë që e ndihmoi ta ulë ndjeshëm kohën para ekranit.
Caitlin Begg, 31 vjeçe, sociologe nga Nju Jorku, nuk e kuptoi se kishte një problem derisa një mëngjes telefoni i saj u fik dhe karikuesi ishte në anën tjetër të dhomës. E detyruar të presë, ajo mori një libër në dorë.
Që nga ai mëngjes i shtatorit 2022, ajo ka zgjedhur ta nisë çdo ditë duke lexuar, në vend që të kapë telefonin. Sipas saj, kjo e ka ndihmuar ta ulë përdorimin e telefonit në vetëm rreth një orë në ditë.
“Çdo mëngjes, pa përjashtim, lexoj diçka jo-fiktive para se të përdor kompjuterin,” thotë ajo.
“Ndonjëherë është vetëm një faqe kur jam me nxitim, herë të tjera lexoj për një orë.
Por që atë mëngjes kuptova se truri im ndihej ndryshe, dhe që atëherë koha ime para ekranit ka rënë me mbi 65 për qind. Kjo më ka ndihmuar të rrënjosem fort në këtë zakon të mëngjesit.”
Më parë, ajo përjetonte atë që e quante “truri i telefonit”: një ndjesi rëndese mendore dhe shpërqendrimi të vazhdueshëm. Tani, thotë se ndihet e pranishme dhe e përqendruar që në fillim të ditës.
“Truri të jep ndjesinë sikur duhet të bësh një milion gjëra njëherësh, sikur duhet të kontrollosh dhe të komunikosh pa pushim,” shpjegon ajo.
“Rregulli im numër një është: asnjë telefon në dhomën e gjumit. Nëse jeton në një studio, vendose telefonin në anën tjetër të dhomës ose lëre në banjë.”
Ajo thotë se atë mëngjes u zhduk pikërisht kjo ndjesi. “Isha e pranishme në një vend të vetëm.”
Për ata që duan të ulin kohën para ekranit, këshilla e saj kryesore është e thjeshtë: mos e mbani telefonin në dhomën e gjumit dhe vendosni paraprakisht se çfarë do të bëni në atë kohë – qoftë lexim, qoftë një shëtitje.
“Shikoni sa orë në ditë e përdorni telefonin. Nëse, për shembull, kaloni dy orë në TikTok, gjeni një aktivitet që mund ta zëvendësojë atë kohë – të dilni me një mik, të ecni, apo të bëni diçka fizike.”
Çelësi, sipas saj, është ajo që e quan “kalimi drejt analoges” (Progression to Analog), titulli edhe i podcast-it të saj. Kjo nënkupton përfshirjen në përvoja të drejtpërdrejta, pa ndërmjetësim teknologjik.
“Një përvojë e drejtpërdrejtë mund të jetë larja e dhëmbëve, dushi, mëngjesi – të gjitha pa telefon. Mund të jetë të shikosh nga dritarja. Mund të bësh dhjetë kërcime në vend,” shpjegon ajo.
“Edhe nëse nuk të pëlqen leximi, mund të ulesh një minutë dhe të shikosh jashtë, ose thjesht të lahesh e të përgatitesh për ditën para se të prekësh telefonin.”
Në përpjekjen për të reduktuar kohën para ekranit, Begg hoqi dorë nga TikTok për tre vjet, deri së fundmi, sepse – siç thotë – nuk i pëlqente “shndërrimi i jetës së përditshme në përmbajtje”.
“Në fakt, ishte shumë e lehtë ta lija. Duke e nisur ditën me libër, nuk e ndjeva nevojën të kthehesha.”
Paralelisht me këtë, tetë muaj më parë ajo ndaloi së përdoruri kufje në publik dhe nisi të vëzhgojë marrëdhënien e njerëzve me teknologjinë. Prej një viti, ajo ka regjistruar çdo rast zhurme nga smartphone-ët gjatë udhëtimeve me metro: video, muzikë, njoftime apo telefonata me altoparlant.
“Që nga 1 janari 2025 kam regjistruar çdo rast zhurme nga telefonat. Rezultati ishte domethënës: rreth 70 për qind e udhëtimeve me metro që kam shënuar përfshinin zhurmë nga smartphone-ët,” thotë ajo.
Sipas saj, shqetësuese është fakti që njerëzit e kanë gjithnjë e më të vështirë të shkëputen, sepse përdorin teknologjinë për t’i shpëtuar vetë pasojave të saj.
“Kjo na ndjek kudo, sepse njerëzit vendosin kufjet për ta bërë ambientin më të qetë,” thotë ajo.
“Telefonat po na bëjnë më të izoluar, më individualistë. Është interesante – dhe shqetësuese – të shohësh si ndikojnë në mjediset tona të përditshme.”
Sipas një raporti të OFCOM, rregullatori britanik i komunikimeve, të rriturit në Mbretërinë e Bashkuar kalojnë mesatarisht rreth katër orë e gjysmë në internet çdo ditë. Pjesa më e madhe e kësaj kohe shpenzohet në smartphone, me rreth 41 aplikacione të përdorura në muaj, ku WhatsApp, Facebook dhe Google Maps kryesojnë listën.
Ndërkohë, një raport parlamentar ka treguar se koha para ekranit te fëmijët është rritur me 52 për qind mes viteve 2020 dhe 2022, dhe pothuajse një e katërta e të rinjve e përdorin teknologjinë në mënyrë që përkon me varësinë sjellore. Raporti kërkon ndalim më të rreptë të telefonave në shkollat e Anglisë, për shkak të dëmeve në mësimnxënie, kujtesë, shpejtësi përpunimi dhe vëmendje.
Studimet tregojnë se ulja e kohës para ekranit nuk është e rëndësishme vetëm për fëmijët. Edhe të rriturit përfitojnë.
Një studim i publikuar këtë vit në revistën BMC Medicine zbuloi se reduktimi i kohës para ekranit lidhet me ulje të simptomave depresive, përmirësim të cilësisë së gjumit dhe reduktim të stresit. /GazetaExpress/










