Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, sot u mbajt një ceremoni për të përkujtuar 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe për të nderuar kujtimin e Komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit që ranë për liri.
Në këtë aktivitet, u zhvillua ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me pjesëmarrjen e liderëve shtetërorë, duke përfshirë Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci; Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministra dhe zëvendësministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, zyrtarë të lartë të MM-së, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të FSK-së, si dhe autoritete të tjera politike, diplomatike dhe ushtarake, vendore dhe ndërkombëtare.
Në vijim keni postimin e plotë të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci lidhur me këtë aktivitet:
“Filluam manifestimin treditor të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” në përkujtim dhe nderim të betejës së pashembullt të familjes Jashari dhe luftës së UÇK-së.
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe datat 5, 6 e 7 Mars janë emblema e qëndresës, e luftës për çlirimin e atdheut deri në vetëmohim.
Lufta e komandantit legjendar Adem Jashari, e grupeve të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare, qëndresa sypatrembur ndaj okupatorit, e motivi i çiltër për çlirim, ishin arsyeja për të fituar përkrahjen e aleancës së NATO-s, duke i dhënë fund terrorit serb, e dritë shtetit të ri demokratik, Republikës së Kosovës.
Ai është gjallë, i gjallë në mendjet e zemrat tona, sepse trimëria e sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari e familjes së tij nuk mund të harrohet kurrë.
Sot, Adem e Hamëz Jashari, jetojnë në mesin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në krenarinë e vullnetin e hekurt të ushtarakëve tanë që denjësisht bartin emblemën e shqiponjës, mbrojtësit tanë sypatrembur të lirisë dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës.
Shtet e ushtri, ishte pikërisht ëndrra e Ademit e Hamzës që është jetësuar e po konsolidohet çdo ditë e më shumë.
Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e atdheut!
Rroftë Republika e Kosovës për jetë të jetëve!”