Në shënim të Ditës Botërore të Sindromës Down, Qendra e Kujdesit Ditor “Pema” në bashkëpunim me ëmbëltoren ‘Kimi’ në Gjilan, mbajtën një aktivitet të veçantë me fëmijët e kësaj qendre, transmeton 2LONLINE.
Ishte planifikuar që ata të bëhen pjesë e stafit të këtij lokali në pozita të ndryshme.
Përveç, dëshirës për punë e disponimit që reflektohej në fytyrat e tyre, fëmijët tashmë stafi i ri ishin bërë gati edhe me veshje e uniformë.
Festina, Ardi, Fiona por dhe të tjerët u shprehën të lumtur për një mundësi të tillë dhe thanë se me kënaqësi do ta vazhdonin këtë punë.
“E kasha shumë të lehtë dhe më pëlqen torta. Do ta vazhdojë këtë punë edhe në shtëpi”, ka thënë Festina Destani.
Ndërsa, Ema Sallahu, psikologe në Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, theksoi se ky është mesazhi më i mirë në shënim të kësaj dite.
“Fëmijët ishin shumë të zotë në punë dhe dëshmuan edhe njëherë dëshirën, vullnetin dhe dashurinë që kanë në çdo gjë që ata bëjnë. Uroj që shoqëria të vetëdijesohet e ta kuptojë se fëmijët janë të barabartë pavarësisht dallimeve dhe gjithëpërfshirja është virtyt i një shoqërie të shëndoshë”, ka thënë Sallahu
Kurse, pronari i ëmbëltores, Visar Azizi, kishte fjalët më të mira për stafin e ri, duke theksuar se në të ardhmen ata mund të jenë pjesë e këtij lokali.
“Ne ftuam fëmijët e veantë që të shërbejnë né lokalin tonë dhe ata ishin shumë të mirë, e zbukuruan vendin me prezencën e tyre. Uroj dhe shpresoj që shumë shpejt ndonjëri t’i bashkohet stafit tonë. Gjithashtu nga sot, gjithë fëmijët me Sindromin Down deri në 18 vjet do të kenë tortat për datlindjen e tyre gratis nga ne”, ka thënë Visar Azizi, për 2LONLINE.
E të kënaqur me një iniciativë të tillë, ishin edhe myshterinj në këtë lokal dhe prindërit e fëmijëve, të cilët e përkrahën këtë nismë dhe uruan që fëmijëve t’u hapen dyert vazhdimisht në arsimim, edukim e punësim.